Lajme
E turpshme| Për herë të parë në historinë e Kosovës, mbështetësit e Albin Kurtit thërrasin një protestë antiamerikane
Demokracia
23:23 | 30 Janar 2023

Share:

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, të martën më 31 janar do të jetë nikoqire e një diskutimi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Në këtë takim janë të ftuar grupe të ndryshme nga shoqëria civile, zyrtarë qeveritarë, përfaqësues nga opozita dhe diplomatë. Aty nuk do të marrin pjesë presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, mirëpo ata do ta dërgojnë nga një përfaqësues të tyre.

Pavarësisht faktit që kryeministri Kurti po e pranon procesin për themelimin e Asociacionit për të cilin thoshte se është i “vdekur”, duke dërguar përfaqësues aty, mbështetës të partisë së tij dhe anëtarë të LVV-së, duke mos u pajtuar me krijimin e Asociacionit, të martën në sheshin e Prishtinës kanë thirrur një protestë kundër presionit amerikan.

Hysamedin Feraj, këshilltari i kryeministrit Kurti, ka bërë thirrje për një protestë kundër Asociacionit.

“Së paku në mediet sociale janë shtuar thirrjet për protestë të shqiptarëve “në mbrojtje të qeverisë Kurti” lidhur me zajednicën. Në fakt ajo më shumë po duket si protestë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Kosovë përaballë diskriminimit serb, në stilin: “Jo diskriminimit etnik (të shqiptarëve)”! “Jo më qytetarë të dorës së dytë në Kosovë, si dikur në Jugosllavi dhe në Serbi”! “Duam barazi etnike”! “Duam të drejtat tona kombëtare”! “Liri, barazi, Republikë, demokraci”, etj. Bash si dikur, shumë vite më parë”, ka shkruar Feraj.

I këtij mendimi është edhe Sadri Ramabaja, të cilit madje edhe i ishte financuar një projekt nga zyra e Kurtit.

Ramabaja tregoi se protesta e nesërme do të fillojë në sheshin e Prishtinës nga orën 12:00.

“Imponimi i Bashkësisë së Komunave Serbe – një kronikë e luftës së re të paralajmëruar shqiptaro-serbe! Jo BKS-së! Nesër, më 31 janar 2023, ora 12.00 – të gjithë në SHESH!”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Kjo thirrje për protestë është përkrahur edhe nga disa militantë të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët kanë shpërndarë postime në rrjetet sociale.

Kurti, i cili po e dërgon shefin e tij të kabinetit në takimin për të diskutuar rreth themelimit të së ashtuquajturës Zajednicë, në një intervistë për REL-in tha se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ai tha se ka pritur nga Escobari që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet, pavarësisht kryeministrit të Kosovës./Demokracia.com/

Të ngjashme