Pas shumë kohësh duke e mohuar, këtë të shtune Lëvizja Vetëvendosje, partia e Kryeministrit Albin Kurti e pranoi që GEN Beograd, firma prej të cilës mori pagesë të majme Marrin Berishaj, është serbe.
Marrin Berishaj, i përshkruar nga mediat sllovene si “mushka” që barte paratë e mafias së energjisë për të ndikuar në zgjedhje, ishte mbrojtur nga kryeministri Albin Kurti e Presidentja Vjosa Osmani.
Ky kuadër i Vetëvendosjes që u emërua ambasador nga pushteti Kurti & Osmani, siç pati sjell prova Insajderi, për vite ishte paguar ndonjëherë deri në 50 mijë euro në muaj nga GEN Beograd.
Por, mbrojtja që i bëhej ishte që GEN është firmë sllovene.
Mbi dy vite mbrojtje, sot Vetëvendosjes iu desh që të “sulmonte”. E, bash në sulm, ata e rrënuan krejt narracionin që GEN- është sllovene.
2008-2020 në fushën e energjisë elektrike dominojnë shitblerjet me kompanitë nga Serbia, madje me kontrata të negociuara. Këtu prijnë: EFT Grupi i Vuk Hamoviqit, GEN Beograd dhe kompania e nipit të Jovica Stanishiqit, Rudnap.
Tash edhe Serbia edhe këto kompani e kanë humbur terrenin dhe tregun në Republikën e Kosovës”, thuhet në postimin e së shtunës të publikuar nga partia e Kurtit.
Berishaj është emri më i përfolur i Vetëvendosjes për përfshirje në afera korruptive.
Aferat e tij kanë tejkaluar moti kufijtë e Kosovës. Kanë prekur Serbinë e Slloveninë.
Ky intervistim vjen pas dyshimeve për një aferë financiare të Berishajt në Slloveni, për të cilin fillimisht u raportua nga mediat atje.
Vitin e kaluar, mediat sllovene shkruajtën për një skandal të madh financiar, ku ishte i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Në këtë aferë, ku dyshohej për shpëlarje parash, dukej që ishte përfshirë edhe ambasadori Berishaj.
Një televizion slloven, Planet TV, kishte raportuar se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës, ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, Berishaj.
Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar, tregonte se në xhirollogarinë e MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj.
Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.
Në raportimet e medies sllovene, Berishaj dyshohej se ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.