Lajme
E solli me bagazhin e veturës, u përleshën dhe e hodhi nga dritarja: Detaje për rastin tragjik ku vdiq argjentinasja në Fushë Kosovë
Demokracia
14:01 | 06 Gusht 2023

Share:

Donte që në dasmën e vëllait ta kishte edhe të dashurën me të cilën ishte lidhur për më shumë se 4 muaj. Për këtë qëllim, Endrit Nika nga Drenasi, sipas mediave zvicerane, e kishe futur të dashurën argjentinase ilegalisht në Kosovë duke e fshehur në bagazhin e veturës.

Megjithatë, dasma për të cilën erdhën në Kosovë Maria Clara Urdangaray dhe Endrit Nika, nuk u mbajt. Kjo pas një tragjedie që ndodhi në një nga hotelet e Fushë Kosovës.

Aty, Nika dyshohet ta ketë hedhur nga dritarja e hotelit të dashurën e tij nga Argjentina. Për këtë shkak ai u arrestua dhe po mbahet në paraburgim.

Tashmë detaje të reja për rastin kanë zbardhur mediat nga Zvicra. Gazeta zvicerane Blick shkruan se çifti ishin dehur në një festë që ishte mbajtur para dasmës. Aty dyshohet të jenë grindur keq, duke e goditur edhe njëri-tjetrin. Madje, raportohet se edhe i dyshuari ka pasur disa lëndime në gjoks.

“Të dy thuhet se kanë qenë të dehur në festën para dasmës, sipas burimeve familjare. Kur janë grindur, dyshohet se kanë sulmuar njëri-tjetrin. Burri ka pësuar lëndime edhe në gjoks”, thuhet në raportimin e mediave zvicerane.

Babai i viktimës deklaron se rasti nuk është aksident.

“Është femicid. Ai e hodhi nga ballkoni”, thotë ai për mediat argjentinase, transmeton gazeta Nacionale.

Vetëm pak ditë para tragjedisë edhe nëna e viktimës kishte biseduar në telefon.

“Ajo na dërgoi video, dukej mirë dhe e lumtur, këtë nuk e kuptoj”, ka deklaruar nëna e saj për mediat e huaja.

Maria Clara kishte lindur në Argjentinë, dhe në kërkim të një jete më të mirë ishte zhvendosur në Spanjë. Në Barcelonë ishte takuar me Endrit Nikën dhe shkuan për të jetuar bashkë në Zvicër.

“Pas katër muajsh lidhje, çifti kanë udhëtuar së bashku drejt Kosovës, ku do të martohej vëllai i të arrestuarit. I riu mësohet se e kishte futur ilegalisht të dashurën e tij në Kosovë, duke e fshehur në bagazh”, thuhet në raportimet e mediave zvicerane.

Situata është e rënduar dhe familja e të ndjerës e ka të vështirë që ta transportojë trupin e vajzës.

“Në fillim nuk isha i sigurt nëse ishte vajza jonë. Tani po përpiqemi ta transferojmë vajzën tonë në vendin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur. Një tragjedi e tillë nuk duhet të përsëritet”, deklaron babai i viktimës.

Në anën tjetër fqinjtë e Endrit Nikës nuk kanë pasur fjalë të këqija për djaloshin me prejardhje nga Drenasi. Ata shprehen të habitur me këtë tragjedi.

“Ai ishte një djalë i hapur, i dashur, i shkëlqyeshëm që gjithmonë na përshëndeste”, thotë një fqinj i prindërve të të dyshuarit.

Fqinji ka treguar se para nisjes për në Kosovë Nika i kishte përshëndetur dhe njoftuar për dasmën e djalit.

“Nuk mund ta imagjinoj që e bëri qëllimisht për ta dëmtuar. Ai ishte i sjellshëm dhe nuk ishte djalë i keq”, thotë më tutje ai.

Ndërkohë që dasma e vëllait të vogël, e cila do të bëhej më 1 gusht, është anuluar. Tashmë policia dhe prokuroria po hetojnë. Në Kosovë kanë arritur edhe hetues nga Zvicra.

Siç raportuan gjerësisht mediat argjentinase, Nika është fans futbolli, merakli i armëve dhe i jetës së mirë.

Por, çka ndanë kohëve të fundit mediat argjentinase është se në rrjetet sociale, që të dy, Endriti dhe Clara, është supozime se ata mund të kenë qenë edhe të fejuar.

Nga ç’shihet në rrjetet e tyre sociale, ata kanë shkruar emrat e njëri tjetrit me emoji të zemrave dhe unaze.

Babai i saj pretendon se gjatë dasmës së vëllait të Nikës, ata patën një zënkë, teksa dyshonte se “mund të ketë qenë i dehur ose i droguar..dhe e ka hedhur atë nga ballkoni”.

Gjykata Themelore e Prishtinës ditë më parë ia caktoi 30 ditë paraburgim të dyshuarit, nën akuzat për vrasje. Sipas gjykatës, ka rrezik potencial që i dyshuari të arratiset nga Kosova nëse lihet i lirë, pasi posedon dokumentacionin e Zvicrës.

Të ngjashme