Lajme
E refuzuan gazin amerikan, Osmani e Kurti “turr” drejt Uashingtonit për një nënshkrim me MCC-në që është punë e Artane Rizvanollit
Demokracia
14:24 | 25 Korrik 2022

Share:

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryeministrin Albin Kurti kanë udhëtuar për në Uashington D.C.

Dy liderët kryesorë të vendit po shkojnë për ta nënshkruar një marrëveshje, që është punë e Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, shkruan Demokracia.com.

Siç thuhet në njoftimin e presidencës, Osmani e Kurti kanë udhëtuar për të marrë pjesë në ceremoninë e organizuar në kongresin amerikan për nënshkrimin e marrëveshjes me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për Programin Kompakt të Kosovës.

“Gjatë qëndrimit në Uashington, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti do të zhvillojnë edhe takime të tjera bilaterale”, thuhet në njoftim.

Por, dy liderët e shtetit që nuk lënë rast pa shfrytëzuar për të shkuar në SHBA, qoftë edhe për takime të kota, vitin e kaluar e patën refuzuar një projekt për ndërtimin e infrastrukturës së gazit natyror.

Edhe pse në vazhdimësi Osmani thoshte se Kosova nuk e ka refuzuar këtë projekt, në muajin maj në qytetin e Alexandropoli në veri të Greqisë ka filluar ndërtimi i terminalit të gazit të lëngshëm natyror, ku mungoi Kosova.

Osmani me deklarata boshe e kamuflonte refuzimin, shkruan Demokracia.com.

Ajo kishte deklaruar se çështja është duke u shqyrtuar nga institucionet relevante.

“Jo, nuk mund të them që ka refuzim. Thjesht ka studim të ekspertëve dhe të ministrive përkatëse, të cilat janë në diskutim të përditshëm me shtetin amerikan, në mënyrë që e gjitha të sqarohet. Mirëpo, asnjëherë deri tani, unë nuk kam dëgjuar ndonjë refuzim nga ana e Qeverisë së Kosovës. Megjithatë, ka kohë për përgjigje. Sepse, afatet kohore për përgjigje janë të qarta nga ana e MCC-së në këtë rast. Unë kam folur personalisht me MCC dhe po ashtu me përfaqësues të shtetit amerikan, ku personalisht si presidente kam dhënë përkrahjen time nga aspekti gjeostrategjik dhe gjeopolitik, pa hyrë në detaje të implementimit, sepse ato i bëjnë ministritë përkatëse dhe jo presidentja e vendit. Pra, ata duhet të merren me çështjen e ndërtimit të pipeline-it me çështjen e çmimit, me çështjen e shumave të ndryshme, se sa saktësisht do të blihet, kur pritet të vijë, cilat do të jenë loans që do t’i marrë, etj. Mirëpo, në aspektin politik, unë mendoj që ky është një vendim gjeostrategjik tejet i rëndësishëm për Kosovën dhe gjithnjë duhet ta kuptojmë që energjia nuk është vetëm energji. Është, po ashtu, çështje gjeostrategjike. Prandaj, mendoj se për Kosovën nuk mund të ketë rrugëdalje tjetër, përpos bashkëpunimit me SHBA-në. Ky është mendimi im si Presidente e Republikës. Por, pastaj unë e kuptoj që ministritë e niveleve më të ulëta mund të kenë edhe shumë pyetje të tjera rreth implementimit dhe çështje të tjera. Si person që vërtet lufton që Kosova t’i arrijë këto qëllime të veta për energji të gjelbër, natyrisht që unë e kuptoj që gazi nuk është 100 për qind i pastër. Mirëpo në krahasim me qymyrin, që përdoret sot në Kosovë, është shumëfish më i pastër dhe po ashtu është fazë tranzicionale”, kishte thënë presidentja Osmani.

Edhe Kurti thoshte se nuk kanë të bëjnë me refuzim, derisa pohonte se janë në kontakt të vazhdueshëm me MCC.

“Nuk janë të vërteta akuzat. Ne jemi në kontakt me MCC. Gjithashtu, jemi duke diskutuar sesi është më së miri në këtë fazë të përdorim fondet të cilat do të na ndihmojnë për politikat tona energjetike. Pra, nëse kemi thënë që na duhen më shumë informacion dhe studime, kjo nuk do të thotë se kemi refuzuar, por do të thotë që jemi të përgjegjshëm. Fondet amerikane janë të mirëseardhura e të dëshiruara, por edhe do të shfrytëzohen nga Qeveria jonë”, kishte thënë ai.

Vitin e kaluar, Kosova ka negociuar me autoritetet greke dhe amerikane për shfrytëzimin e gazit për furnizimin e një termocentrali, pasi Komisioni Evropian aprovoi 166,7 milionë euro në formë mbështetjeje ndaj ndërtimit të terminalit LNG në Aleksandropoli.

Termocentrali në fjalë pritet të përdorë gazin amerikan, për të cilën Maqedonia e Veriut është bërë pala e dytë e interesuar.

Kosova ishte duke negociuar me qeverinë greke dhe autoritetet amerikane që ta përdorë këtë lloj gazi për energji.

Projekti ishte paraparë në kuadër të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Në kërkesën buxhetore të përpiluar nga Administrata Biden ishte paraparë që të ndahen 200 milionë dollarë për implementimin e projekteve në kuadër të MCC-së në Kosovë, që përfshihen gazi dhe burimet e ripërtërishme.

Shfrytëzimi i gazit natyror nga MCC-ja ishte paraparë edhe si formë për zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Zbatimi i projekteve të MCC vjen si rezultat i marrëveshjes për normalizim ekonomik në mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur në Uashington përgjatë shtatorit të vitit 2020.

Megjithatë, marrëveshjen e Uashingtonit, Qeveria Kurti prej fillimit e ka konsideruar “të pa vlerë juridikisht”. /Demokracia.com/

Të ngjashme