Sport
Pas 17 ndeshjeve Prishtina më afër rënies nga Liga se sa titullit të kampionit
Demokracia
10:58 | 08 Dhjetor 2021

Share:

Kanë kaluar 17 ndeshje nga edicioni i sivjetmë në elitën e futbollit kosovar, derisa lufta dhe rivaliteti deri tash duket mjaft interesant dhe i paparashikuar, shkruan Demokracia.com.

Kampionia aktuale Prishtina, e cila me ndryshimet që bëri këtë stinor, duke sjell përforcime emra të njohur të futbollit, në 17 ndeshjet e zhvilluara mund të thuhet se ka dështuar. Kjo edhe i shtyri drejtuesit e skuadrës të reagojnë duke shkarkuar trajnerin Zekirija Ramadani për ta angazhuar boshnjakun Ibrahim Abrakoviq me synim për t’i ndryshuar gjërat.

Abrakoviq Prishtinën e ka udhëhequr në katër ndeshje, tri në kampionat dhe një në Kupë, duke marrë dy fitore, një barazim dhe një humbje

Bardhekaltrit, aktualisht janë në pozitën e pestë në tabelë me 24 pikë, plot nëntë pikë larg vendit të parë që e mbanë Ballkani me 33 sosh, derisa janë vetëm shtatë pikë larg pozitës së parafundit në tabelë që e mbanë Dukagjini, pozitë kjo që edhe dërgon në një rang më poshtë të garave.

Sido që të jetë, Prishtina edhe edicionin e kaluar kishte një start të tillë madje në pjesë e parë të kampionatin të gjithë e përjashtuan si kandidate për titull, por në fund ajo ia doli dhe e riktheu titullin në kryeqytet pas plotë 8 viteve mungesë. Se çfarë do të ndodhë këtë herë mbetet të shihet, por një është e sigurt të gjithë duan një skuadër më ndryshe.

Ish-futbollisti bardhekaltër Kushtrim Mushica, i pakënaqur pas humbjes me Dritën në javën e kaluar reagoi përmes një statusi në Facebook, duke shkruar: “Klubit bardhekaltër duhet t’i kthehet nami i dikurshëm, në 100 vjetorin e themelimit urojmë të stoliset me titullin kampion”.

Të kujtojmë që deri në mbyllje të stinorit vjeshtor ka mbetur vetëm edhe një ndeshje për t’u luajtur. Kampioni aktual do të ketë një udhëtim të vështirë ku në Merdare takohet me Llapin, që tashmë ka hyrë në një formë. Pavarësisht rezultatit të asaj ndeshjeje, Demokracia.com mëson se Prishtina do t’i nis disa risi, ku pritet të largohet disa lojtarë. Tashmë zyrtare është se Kristi Vangjeli dhe Besart Berisha nuk do të jenë pjesë e Prishtinës, ndërsa shumë lehtë mund të ndodh që bashkëpunimi të shkëputet edhe me sulmuesin Otto John. /Demokracia.com

 

 

Të ngjashme