Lajme
E paprecedent | Osmani e gatshme të hedh poshtë zgjedhjet e 23 prillit, serbëve iu tregon si t’ua ndërpresin mandatin 4 kryetarëve shqiptarë
Demokracia
20:17 | 01 Qershor 2023

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se Kosova është e gatshme që të organizojë zgjedhje të reja në pjesën veriore të Kosovës, duke hedhur poshtë mundin e institucioneve të Kosovës, por edhe vendimin e kryeministrit Albin Kurti.

Osmani tha se këtë kërkesë e bënë presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz.

“Unë i thash që jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë mundësi”, tha Osmani.

“Ata kërkuan nga Kosova që të gjejë një mënyrë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri që do tu jepte qytetarëve serbë mundësinë që të marrin pjesë dhe të zgjedhin kryetarë me legjitimitet më të madh”, tha Osmani.

Osmani tha se organizimin e zgjedhjeve të reja e lejon rregullimi ligjor i Kosovës dhe kjo sipas presidentes Osmani mund të bëhet përmes një peticioni që mund ta inicojnë qytetarët serbë të komunave veriore. Ajo ua tregoi serbëve mënyrën si t’ua ndërprejnë mandatin katër kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, shkruan Demokracia.com.

“Kjo nënkupton që qytetarët serbë, pra rreth 20 për qind prej tyre që janë në listën votuese mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes tij mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim ligjin”, deklaroi presidentja Osmani.

Duke iu referuar situatës në komunat veriore, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan, Osmani tha se situata mund të shtensionohet vetëm nëse Serbia ndalë bandat kriminale atje.

“Mund të ketë shtensionim të situatës, por shtensionimi nis në Beograd, duke ndaluar këto banda kriminale që të shkaktojnë dhunë në veri të Kosovës ndaj qytetarëve të pafajshëm. Kjo është kyçe dhe këtë e kemi kërkuar që të ndodhë”, tha Osmani.

Por, a ia vlejti e tërë kjo që ndodhi këto ditë, që sërish të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme?

Pikërisht për t’iu mundësuar ushtrimi i mandatit katër kryetarëve shqiptarë, Albin Kurti dërgoi forcat speciale të Policisë në veri.

Pas kësaj. protestat në tri komuna në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, filluan më 26 maj kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.

Zgjedhjet në katër komunat në veri të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill, pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.

Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhyn në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që Qeveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për qetësim të situatës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka mbrojtur veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Vendimi i Kurtit bëri që Kosova të ndëshkohet nga aleati kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mosdëgjueshmëria e tij për t’i tërhrequr Policinë çoi edhe në sanksione nga SHBA.

Kosova u përjashtua nga “Defender 2023”, SHBA ndali lobimin për njohjen e Kosovës tek shtetet mosnjohëse dhe u anuluan vizitat e zyrtarëve amerikanë në Kosovë dhe anasjelltas.

Kjo u përcoll edhe me një luftë verbale Kurti-SHBA. Kurti madje tha se deklarata e sekretarin amerikan Anthony Blinken ishte naive dhe e ngutshme. / Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 02 Qershor 2024