Lajme
“E papranueshme”: VV-ja e fajëson PDK-në, LDK-në dhe gjykatat për lirimin e serbëve të arrestuar në veri
Demokracia
22:27 | 21 Korrik 2023

Share:

Katër serbë, të arrestuar nën dyshime për sulm ndaj gazetarëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it, janë liruar tashmë. Për lirimin e tyre, ditë më parë, është “fryer” Serbia, duke marrë merita në mënyrë absurd për vendimet e pavarura të gjykatave në Kosovë. Ndërsa eksponentë të partisë në pushtet, pra VV-së, i ka kritikuar ashpër këto lirime.

Deri tani janë liruar Urosh Vukashinoviq, Nemanja Vllaskoviq, Dalibor Spasiq dhe Radosh Petroviq, të arrestuar nën dyshimin për pjesëmarrje në dhunë ndaj gazetarëve dhe ushtarëve të KFOR-it, ku mbetën të lënduar dhjetra pjesëtarë.

Në fakt, disa eksponentë të VV-së kanë pasur cilësime të ashpra për lirimin e katër serbëve që u arrestuan muajin e kaluar gjatë trazirave në veri të Kosovës. Ata kanë akuzuar ashpër sistemin e drejtësisë…dhe, hiç më pak, se dy partitë opozitare, PDK-në dhe LDK-në.

Reagimet e VV-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja reagoi ditë më parë pas lirimit të Nemanja Vlaskoviq, i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve në pjesën veriore të Kosovës.

Muja ka thënë se lirimi i Vlaskoviq është tërësisht vendim i papranueshëm dhe i gabuar nga ana e gjyqtarit. Tutje, deputeti nga Mitrovica shkroi se Vlaskoviq që së fundmi ka sulmuar gazetarët ka edhe dosje të thukët kriminale.

“Vetëm njëri prej të liruarve në dorëzani, Nemanja Vlaskoviq, që së fundmi ka sulmuar gazetarët ka dosje të thukët kriminale. Ai përveç tjerash ka punuar në komunën paralele të Leposaviqit. Po ashtu ai është pjesë e grupit kriminal ‘’Udarna Ekipa’’, që merren me sulme të befasishme me mjete të forta dhe shpërthyese ndaj PK-së, Qeverisë etj. Po ashtu i dyshohet edhe për vepra tjera. Është tërësisht i papranueshëm dhe i gabuar një vendim i tillë nga ana e gjyqtarit kur ka pasur qindra opsione tjera të parapara me Kodin Penal.” – ka shkruar Muja.

Ndërsa zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, u shpreh i habitur nga vendimet e gjykatave për lirimin e serbëve të arrestuar në veri. Me anë të një shkrimi në Facebook, Manxhuka, ka kritikuar lirimin e serbëve të arrestuar për sulmin ndaj gazetarëve.

“Shumica e sulmuesve të gazetarëve që janë liruar këto ditë nga Gjykata nuk janë vetëm sulmues të gazetarëve, ata kanë qenë pjesë aktive e grupeve atje. Pra, ata nuk janë persona që rastësisht janë gjendur në problem apo raste të izoluara, por aktivisht dhe në mënyrë të organizuar janë të përfshirë atje”, ka shkruar ai.

Madje, ai u shpreh i habitur me lirmin e tyre përmes dorëzanisë, duke shtuar se këto lirime do të jenë vetëm inkurajim për sulme të reja.

“Është vërtetë e çuditshme mënyra si është marrë vendimi për lirim të këtyre personave veçanërisht me dorëzani kur Kodi Penal ka dhjetëra opsione tjera në këto raste. Këto lirime do të jenë vetëm inkurajim që ata të vazhdojnë avazin e vjetër, ndërkaq për të tjerët stimulim për t’u përfshirë në këto raste/grupe” ka shkruar ai tutje”, tha ai tutje.

Por reagimi më i çuditshëm ishte ai i Elvis Hoxhës, anëtar i Kryesisë së LVV-së, i cili ka bërë disa pretendime të çuditshme në drejtim të PDK-së dhe LDK-së. Hoxha në fakt ka pasur fajësime për dy partitë më të mëdha të opozitës. Më saktësisht, Hoxha i ka fajësuar PDK-në dhe LDK-në për lirimin e serbëve të arrestuar në veri.

“Tajimë Pdk-së dhe LDK-së i ka mbetur të përdorë prokurorinë dhe dhe gjyqësorin si ushtarët e fundit për me pengu qeverinë. Këto kanë marrë për detyrë të lirojnë këdo që arreston policia. Dhe nuk bën përjashtim në praktikën e tyre as krimineli i bandave serbe në veri, as krimineli që ka shpërdoruar detyrën shtetërore, as ai që ka prekur sovranitetin e institucionit.” – shkroi ai.

Të ngjashme