Lajme
“E pamundur”| Qeveria e Kosovës s’i merr parasysh kërkesat që paga minimale të bëhet 400 euro
Demokracia
18:17 | 13 Prill 2022

Share:

Sindikatat e punëtorëve në vend nuk po pajtohen me rritjen e pagës minimale, duke kërkuar që e njëjta të jetë 400 euro. Sidoqoftë, nga qeveria e Kosovës kanë deklaruar se një gjë e tillë është e pamundur, duke refuzuar kështu këtë kërkesë.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se paga minimale nuk mund të rritet në 400 euro, pasi sipas tij kjo shkakton çrregullime ekonomike, raporton Demokracia.com.

“Kërkesa për një pagë minimale 400 euro është gati e barazvlefshme me atë të pagës mesatare në Kosovë dhe ekonomikisht, bëhet e pamundur, për shkak të çrregullimeve ekonomike që mund të shkaktojë ajo dhe pamundësisë që të zbatohet nga bizneset private që detyrohen ta respektojnë një pagë të tillë”, ka thënë ai.

Pak më parë, Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, ka mbajtur një konferencë për media ku nuk e ka konsideruar të kënaqshme vendimin e Qeverisë për rritjen e pagës minimale neto në 250 euro, raporton Demokracia.com.

“Si kriter kryesor që kemi marrë për përcaktimin e pagës 400 euro, e kemi marrë koston e shpenzimeve për katër anëtarë të familjes, të cilët me gjërat më elementare, nuk kemi mujtë të kalojmë nën 400 euro shpenzime. Cila është ajo e cila po na jep elemente shtesë që të kërkojmë shtesë, është mungesa e fuqisë punëtorë në Kosovë, pasi që në shumë kompani po ndihet mungesa e punëtorëve, sa që kanë filluar edhe të mbyllen kompanitë”, ka deklaruar Azemi.

Qeveria e Kosovës sot ka rritur pagën minimale në 264 euro, nga 130 dhe 170 sa ishte.

Një vendim i tillë është kritikuar shumë nga sindikatat, të cilat vlerësojnë se kjo shumë nuk mbulon shpenzimet elementare, në një kohë kur çmimet e shumë produkteve janë rritur./Demokracia.com.

 

Të ngjashme