Gjykata Speciale, ndonëse është ditë pushimi në Kosovë, ka vazhduar punën e saj, përkundër që është gjykatë e Kosovës. Dhomat e Specializuara e kanë marrë një vendim pikërisht në Ditën e Pavarësisë, e i cili ka të bëjë bash me lexuesin e Deklaratës së Pavarësisë. Specialja ka vendosur t’ia vazhdojë paraburgimin ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.
Në vendimin e publikuar sot, Gjykata Speciale thekson se arsyet e mbajtjes së Thaçit në paraburgim vazhdojnë të jenë të qëndrueshme. Sipas Prokurorit të Specializuar, në shumë rastë paraburgimi i Thaçit është parë si i justifikueshëm.
Pasi numëroi disa arsye për nevojën e vazhdimit të paraburgimit, Gjykata Speciale tregoi se çka saktësisht ka vendosur për Thaçin.
“Për arsyet e lartëcekura, Paneli nëpërmjet kësaj:
Urdhëron vazhdimin e ndalimit të z. Thaçit; dhe
Urdhëron ZPS-në të paraqesë parashtresat për shqyrtimin e radhës së ndalimit të z. Thaçit, jo më vonë se të hënën, 27 mars 2023, me përgjigje dhe kundërpërgjigje, duke ndjekur afatin kohor të paraparë në Rregullin 76” – shkruhet në vendimin e nënshkruar nga ana e gjyqtarit Charles L. Smith.
Tutje, në vendimin e Trupit gjykues, janë ritheksuar të njëjtat fakte kundër lirimit të Thaçit.
“Trupi konkludon se për momentin nuk ka informacione të mjaftueshme para tij që të arsyetojnë konstatimin se z. Thaçi mund të ikë nga drejtësia. Megjithatë, Paneli është i bindur, bazuar në standardin përkatës, se ekziston rrezik i mjaftueshëm që z. Thaçi të pengojë mbarëvajtjen e procedurave të GjS dhe/ose të kryejë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë ose mund të ofrojë prova në këtë rast dhe/ose duhet të paraqitet para GJD-së. Paneli do të vlerësojë më poshtë nëse këto rreziqe mund të jenë adresuar në mënyrë adekuate nga çdo kusht për lirimin e tij.” – theksohet në vendim.
“Harresa e qëllimshme”
17 shkurti i vitit 2023 është përvjetori i dytë pa Thaçin, i cili gjendet në Hagë si i parabugosur për dyshimet për krime të luftës. Në përvjetorin e 15-të të Kosovës së pavarur, Thaçi u harrua qëllimisht nga ana e krerëve aktualë të Kosovës. Asnjëri nga liderët e Kosovës, pra Albin Kurti, Vjosa Osmani e Glauk Konjufca, nuk dënjuan që ta përmendnin emrin e njeriut që e ka lexuar Deklaratën e Pavarësisë.
E gjithë kjo duket të jetë e mirëmenduar. Përgjatë historisë politike, Kurti e Osmani, por edhe Konjufca, ishin kundërshtarë të Thaçit, i cili, përderisa ishte aktiv në politikë, kishte triumfuar disa herë elektoralisht kundrejt tyre. Gjuha e Kurtit e Osmanit ishte jashtëzakonisht e ashpër kundër Thaçit, të cilin vazhdimisht e akuzonin për korrupsion, krim e marrëveshje të këqija në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Kurti e Osmani nuk e kanë vizituar Thaçin as në Hagë, ku gjendet nga viti 2020, ndonëse Kurti ka kohë që ka paralajmëruar një vizitë të tillë.
Para deputetëve, Osmani, Konjufca dhe Kurti e kanë kujtuar sakrificën e gjithë popullit për liri dhe i kanë falënderuar aleatët për mbështetjen, por nuk e kanë parë të arsyeshme të përmendin emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po përballen me një padrejtësi në Hagë.
“Jam e nderuar që sot, në ditëlindjen 15-të të Kosovës sonë, të mund të ju drejtohem nga foltorja e Kuvendit. Më lejoni ta përgëzoj secilin qytetar për kontributin në ndërtimin e shtetit tonë të përbashkët. Ta kujtojmë pijetarin e shtetësisë sonë, presidentin historik, dr. Ibrahim Rugova. T’i kujtojmë bijtë e bijat tona, të cilët, të rreshtuar në UÇK, sakrifikuan jetën e tyre, komandantin historik, Adem Jasharin. T’i kujtojmë përfaqësuesit e institucioneve të pavarura që kontribuuan për këto 15 vite në shtetndërtim”- deklaroi Vjosa Osmani.
Sakrificën e UÇK-së e ka përmendur edhe kryeministri Albin Kurti.
“Shkurti është muaj me më së paku ditë, por mes tyre ka një ditë që për nga denduria e peshës kombëtare dhe historike, ka efekt zgjatues ndaj përjetimit tonë të kësaj periudhe. Ajo është dita e 17-të e muajit shkurt, ditëlindja e Pavarësisë së Kosovës. Akti i deklatrimit të Pavarësisë së Kosovës shënon hapjen e një kapitulli të pakthyeshëm në historinë moderne të Kosovës” – deklaroi Kurti./nacionale