Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur për media pasi atij nuk i është lejuar që të vazhdojë rrugën drejt Beogradit.
Besnik Bislimi pas kthimit në Kosovë ka shfaqur doza të rritjes së vetëdijes politike. Ai u kthye nga rrugëtimi i tij drejt Beogradit, pasi që organet serbe u tallën me të, duke e lejuar të shkojë deri në afërsi të Beogradit dhe më pas duke e kthyer për Kosovë kinse për shkak të pamundësisë për t’i ofruar siguri.
“Kemi paraqitur kërkesën para organeve dhe ka qenë e aprovuar. Në një moment na është thënë se Serbia nuk mund të ofrojë siguri. Që për ne është sinjal, që Serbia nuk është ende e gatshme të punojë drejt normalizimit. Është e dobët të ofrojë siguri për pjesëmarrësit”, tha ai.
Sipas tij, arsyeja e ndalimit të tij ka qenë diku tjetër, pasi thotë se Kosova ka pasur për qëllim që në Beograd ta japë versionin e tyre mbi zhvillimet për normalizimin e situatës.
“Arsyeja është krejt diku drejt. Ne kemi pasur për qëllim, që Beogradit dhe qytetarëve atje të ju japim versionin e Kosovës mbi zhvillimet që janë në Kosovë dhe drejt normalizimit të situatës. Qytetarët atje janë ekspozuar nga një propagandë shumë e tmerrshme nga qeveria e Serbisë, dhe si duket ka pasur një rezistencë të madhe që të mos e japim versionin tonë”, tha ai.
Tutje, Bislimi tha se mosofrimi i sigurisë nga ana e Serbisë ka pasur mundësi të komunikohet ende pa u nisur për në Beograd.
“85 km para se të mbërrijmë në Beograd. Kjo ka mund të ndodhë edhe këtu që mos ta bëjmë rrugën deri atje. Një veturë e policisë i është bashkuar konvojit, dhe i ka kërkuar konvojit që të vendoset në një pushimore në atë rrugë, dhe i është komunikuar zyrës ndërlidhëse që duhet të kthehemi për shkak të sigurisë”, tha Bislimi. /Demokracia.com/