Lajme
E konfirmuar: Gjykata Speciale e liron nga burgu Hysni Gucatin
Demokracia
14:13 | 13 Tetor 2023

Share:

Gjykata Speciale ka aprovuar kërkesën e kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucatit, për lirim të parakohshëm nga burgu në Hagë.

Lajmin e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku.

Ai ka thënë se për këtë vendim është informuar dje nga avokatët mbrojtës.

“Unë këtë lajm e di prej dje, nga ana e avokatëve. Pra, është marrë vendim për lirimin e Hysni Gucatit. Për Nasimin jo. Për Nasimin kanë thënë se do të rishqyrtohet vendimi pas dy muajve”, ka thënë Klinaku.

Ai ka bërë me dije se Gucati pritet të vije në Kosovë javën e ardhme.

“Nuk e di saktë kur mund të vjen në Kosovë, besoj se javën tjetër, ashtu kanë thënë”, ka deklaruar Klinaku.

Gazeta Nacionale për këtë çështje i ka shkruar edhe Gjykatës Speciale, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

Meqenëse dy ish-krerët e OVL-ÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, e kanë kaluar shumicën e vuajtjes së dënimit, avokatet e tyre kishin dorëzuar kërkesat për lirim të parakohshëm për klientët e tyre.

Kohë më parë, këtë e kishte konfirmua për gazetën Nacionale avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman.

“Kemi bërë kërkesë për zbutje të dënimit, e cila do të shqyrtohet nga Kryetari i Gjykatës. Shpresojmë që zotëri Haradinaj të lirohet në mënyrë që të kthehet në familjen e tij dhe të fillojë të rindërtojë jetën e tij”, kishte thënë ai.

Cadman kishte mbetur i pakënaqur nga vendimi i Gjykatës Supreme për kërkese e tij për mbrojtje të ligjshmërisë.

“Jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer nga vendimi i Gjykatës Supreme për kërkesën tonë për mbrojtjen e ligjshmërisë. Ne kishim parashtruar një sërë shqetësimesh në lidhje me procesin e gjykimit dhe të apelit që ndikuan, sipas mendimit tonë, në drejtësinë e procedurave dhe sigurinë e dënimeve. U ngritën shqetësime në lidhje me përbërjen e kolegjeve, vendime të mëparshme që mund të kishin ndikuar në perceptimin e paanshmërisë, dështime të zbulimit nga prokuroria dhe se kishte gabime ligjore”, ka thënë Cadman.

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj shin dënuar fillimisht me nga 4 vjet e gjashtë muaj burgim. Më pas, Gjykata e Apelit në Hagë ua zbuti dënimin në 4 vjet e tre muaj. Ata janë arrestuar që nga shtatori i vitit 2020.

Të ngjashme