Lajme
E konfirmon Presidenca: Osmani pret sot në takim partitë politike për zgjedhjet në veri
Demokracia
12:47 | 10 Dhjetor 2022

Share:

Presidentja Vjosa Osmani pret sot në takim partitë politike për të diskutuar për zgjedhjet në veri.

Nëpërmjet një komunikate për media nga Zyra e Presidencës thuhet se takimi do të mbahet në ora 14:30, përcjell Demokracia.com.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim sot në orën 14:30, partitë politike për konsultim lidhur me zgjedhjet komunale në: Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan”, thuhet në komunikatë.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ia ka dërguar edhe zyrtarisht presidentes Osmani shkresën ku nuk rekomandohet shtyrja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të cilat janë caktuar të mbahen më 18 dhe 25 dhjetor 2022.

Demokracia.com ka mësuar se presidentes Osmani tashmë i është vështirësuar vendimmarrja për pezullimin e zgjedhjeve, pasi që edhe ministri Xhelal Sveçla ka dalë hapur me deklarata se mund të sigurohen kushte për mbajtjen e zgjedhjeve. Ndërsa, KQZ tashmë edhe zyrtarisht nuk e ka rekomanduar shtyrjen e tyre.

Shtyrja e zgjedhjeve ose pezullimi i tyre pa rekomandim dhe kërkesë të institucioneve përgjegjëse për presidenten Osmani rrezikon ta çojë atë në Gjykatën Kushtetuese. Siç ka mësuar Demokracia.com nga burime brenda zyrës së Osmanit, tashmë edhe ambasadorët e shteteve të Kuintit janë duke lobuar tek partitë opozitare që t’ia bëjnë më të lehtë presidentes Osmani vendimmarrjen për shtyrjen e zgjedhjeve në veri dhe të mos e çojnë rastin në Gjykatën Kushtetuese./Demoracia.com/

Të ngjashme