Lajme
E kishte shpallur të “vdekur”, tani Gërvalla thotë se s’e di nëse do të quhet Asociacion dokumenti që pranuan
Demokracia
19:30 | 28 Tetor 2023

Share:

Përkundër se e kishte shpallur të “vdekur” Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, tani Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, pasi që kryeministri Albin Kurti, pranoi draftin evropian për këtë mekanizëm, thotë se drafti aktual nuk e dinë se a do të quhet Asociacion, por thekson se në të janë inkorporuar shqetësimet e tyre që i kanë pasur për këtë çështje.

“Një dokument i ri që kemi marrë, i cili nuk e di a do të quhet Asociacion apo si do të quhet, i cili shërben për implementimin e planit të lidhur në shkurt [Marrëveshja Bazë], i respekton shqetësimet, e respekton Kushtetutën e Kosovës dhe të gjitha dokumentet e tjera që sigurojnë funksionimin e shtetit tonë”, ka thënë Gërvalla në një intervistë për Zërin e Amerikës.

“Pra, ai Asociacion, i cili e shkel Kushtetutën e Kosovës është i vdekur edhe për ne edhe për bashkësinë ndërkombëtare”.

E pyetur për deklaratën e saj ku e kishte shpallur të “vdekur” Asociacionin, tani ajo hedh fajin tek mediat, për të cilat beson se shërbehen me tituj dhe jo me përmbajtje.

“Por ky është problemi kur edhe mediat serioze shërbehen me tituj dhe jo me përmbajtje të intervistave të përfaqësuesve politikë. Ne kemi biseduar në intervistën të cilën ju e citoni, kemi biseduar për asociacionin e vitit 2013 dhe 2015, të cilin siç ka thënë dhe Gjykata Kushtetuese, e shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës në më shumë se 22 nene”, mundohet të arsyetohet ajo.

Arsyeja që e ka shtyrë Kosovën që ta pranoi këtë model të Asociacionit, për Gërvallën është e “thjeshtë”, pasi që, siç thotë ajo, modeli i ri, i cili është prezantuar, “respekton Kushtetutën tonë dhe si institucione të përgjegjshme, minimumi i asaj që kërkojmë me çfarëdo lloj propozimi që na vjen është respektimi i shtetësisë, i sovranitetit, i Kushtetutës së Republikës”.

“Mendoj që ky është detyrim i çdo qeverie të çdo vendi demokratik, shtoi.

Çka tha Kurti pasi e pranoi Asociacionin?

Dikur si opozitar, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kauzën më të madhe politike e kishte pasur kundërshtimin për Asociacionin. Madje, për ta kundërshtuar këtë, ai dhe partia e tij kishin organizuar protesta masive dhe kishte hedhur gaz lotsjellës brenda hapësirave të kuvendit.

Përveç këtyre, kjo parti në opozitë, kishte refuzuar që ta quante me ermin e tij zyrtar Asociacion apo Bashkësi. Kishin zgjedhur që ta emërtonin në gjuhën serbe “Zajdenica”. Edhe parulla më e famshme e tyre për këtë çështje kishte qenë “Zajdenica nuk kalon”.

Një nga organizimet e kryeministrit Albin Kurti, kundër Asociacionit.

Mirëpo, tani si Kryeministër, Albin Kurti ka pranuar që ta zbatojë Asociacionin. Kjo u konfirmua nga vetë ai, por edhe liderët evropianë, të cilët pohuan se Kurti u ka premtuar se do ta zbatojë këtë mekanizëm.

Në një konferencë për media të premten, së bashku me vartësin e tij, Besnik Bislimi, Kurti ka thënë se drafti për vetë-menaxhimin apo Asociacionin që e kanë sjellë “pesëshja e madhe” më 21 tetor është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Ky draft për vetë-menaxhim, sipas Kurtit, ka paraparë që e njëjta të kontrollohet nga Gjykata Kushtetuese menjëherë.

“Më 21 tetor, nga emisarët amerikano-evropianë na është thënë se drafti për vetëmenaxhim është shkruar me kujdes ndaj shkronjës dhe strukturës së Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe që nëse do të nënshkruhej aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Kushtetuesja të japë vlerësimin e saj për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, ka thënë Kurti.

Të ngjashme