Të premten Alternativa për Ndryshim në Preshevë kishte kërkuar që nesër të mbahej seancë e jashtëzakonshme për shkarkimin e kryetares së Preshevës, Ardita Sinani.
Alternativa për Ndryshim në Preshevë e udhëhequr nga Shqiprim Arifi, kishte kërkuar shkarkimin e të pares së Preshevës, Ardita Sinani, pasi që kishte arritur që t’i mbledh 12 nënshkrimet e nevojshme.
Demokracia.com kishte siguruar dokumentin me nënshkrimet e mbledhura dhe me kërkesën për seancë të jashtëzakonshme të kuvendit komunal.
LEXO EDHE:
Dokument| APN e Shqiprim Arifit kërkon seancë të jashtëzakonshme për shkarkimin e Ardita Sinanit
Mirëpo kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka kërkuar që nesër të mos mbahet kjo seancë dhe të shtyhet për ndonjë ditë tjetër, pasi që qysh me fillim prej orës 08:00 kanë takim me kryeministrin kosovar, Albin Kurti, shkruan Demokracia.com.
Njoftimi i plotë i Sinanit, pa ndërhyrje:
Të nderuar qytetarë,
Siç e dini, kryetari i Kuvendit të Preshevës, z.Sami Salihu, në bazë të kërkesës së këshilltarëve të opozitës, ka ftuar për nesër, ditën e hënë, me fillim në ora 10:00, seancë të jashtëzakonshme, me pikë të vetme të rendit të ditës: Shqyrtimi i propozimit për shkarkim të Kryetares së Komunës së Preshevës.
Duke qenë se si përfaqësues politikë nga Lugina e Preshevës jemi të ftuar nesër në takim në Prishtinë, në ora 8.00, nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, ku kam konfirmuar pjesëmarrjen time, njoftoj opinionin publik se së bashku me z.Munir Rexhepi, Shef i Grupit të Këshilltarëve të Partisë për Veprim Demokratik në Kuvendin Komunal të Preshevës, kemi kërkuar sot nga kryetari i Kuvendit Komunal z.Sami Salihu, që ta shtyjë seancën për një kohë më të përshtatshme, meqë është e pamundur të jem e pranishme fizikisht në ora 10.00 në Preshevë.
Besoj në mirëkuptimin e kryetarit të Kuvendit, z.Sami Salihu, por edhe në përkrahjen e Këshilltarëve të tjerë Komunalë, për ta mundësuar praninë time në seancën ku është inicuar shqyrtim-propozimi për shkarkimin tim. /Demokracia.com/