Lajme
“E kam pi një killë raki”, pranon fajësinë se në gjendje të dehur ushtroi dhunë tek nëna e tij
Demokracia
16:51 | 20 Prill 2022

Share:

I akuzuari D.D., e ka pranuar fajësinë se në korrik të vitit të kaluar, në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë tek nëna e tij, S.D.

Këtë pranim fajësie, D.D., e ka bërë të mërkurën në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, pasi atij iu lexua aktakuza nga prokurorja Kujtesa Fazliu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E pranoj, ma mirë po e kryejmë sot. E kam pi një killë raki edhe qashtu”, deklaroi i akuzuari.

Ndërkaq, nëna e tij, e dëmtuara S.D., ka deklaruar se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se nuk kërkon kompensim materialo-juridik.

Gjykatësja Valbonë Dërvodeli shpalljen e aktgjykimit për këtë rast e ka caktuar të bëhet më 21 prill 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 20 gusht 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj D.D., me arsyetimin se ai në korrik të vitit të kaluar në shtëpinë familjare, me dashje dhe cenim të dinjitetit, ka ushtruar dhunë tek nëna e tij, S.D.

Sipas prokurorisë, i akuzuari në gjendje të dehur shkon në shtëpinë e saj, me ç’rast nëna e tij i thotë se nuk ishte mirë që po pinte alkool, por që i akuzuari ia kthen se ishte i rritur dhe bën çka të dojë, ku edhe pason një mosmarrëveshje verbale dhe pastaj D.D. fillon të bërtas, shanë dhe ofendon me fjalë përulëse nënën e tij dhe në një moment ngritë grushtin duke marrë qëndrim goditës dhe e kanos me fjalët “do të mbys”.

Me këtë, D.D. akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhuna në familje”, nga neni 248, paragrafi 3 nënparagrafi 3.1 dhe 3.2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet.

Të ngjashme