Një gjyqtare federale në SHBA ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të hakerit nga Kosova, Ardit Ferizi, i cili ishte dënuar me 20 vjet burg për ndihmë ndaj Shtetit Islamik.
Gjyqtarja Leonie Brinkema ka akuzuar Departamentin e Drejtësisë se ka montuar akuzat kundër tij për ta mbajtur në burg, përcjell Demokracia.com.
Mediat e huaja raportojnë se Ferizi është personi i parë në SHBA që ishte dënuar për hakim të kompjuterave dhe që është përballur me akuza për terrorizëm.
Ferizi në vitin 2016 kishte pranuar fajin për akuzat kundër tij dhe më pas ishte dënuar me 20 vjet burg.
Ai kishte konfirmuar se hakoi një kompani private dhe më pas kishte nxjerrë emra, fjalëkalime, numrat e telefonave të mbi një mijë personave dhe ia kishte dorëzuar të dhënat Shteti Islamik.
Shteti Islamik më pas, publikoi emrat duke i kërcënuar me sulm, përcjell Demokracia.com.
Në vitin 2020, në fazat më të hershme të pandemisë, Ferizi kërkoi lirimin nga burgu, duke përmendur astmën dhe obezitetin e tij si një rrezik më i madh për t’u prekur nga Covid-19.
Gjyqtarja në fjalë fillimisht refuzoi kërkesën e kosovarit, por ky i fundit rinovoi atë kur Covid-19 u përhap në burgun ku ai ndodhet, dhe më pas u transferua tek autoritetet e imigracionit për deportim.
Megjithatë, para se ai të dëbohej, prokurorët federalë në Kaliforni ngritën akuza të reja kundër Ferizit.
Kallëzimi penal e akuzonte atë për vjedhje identiteti dhe mashtrim duke u koordinuar me një anëtar të familjes për të ruajtur aksesin në llogaritë e emailit që përfshinin sasi të mëdha të dhënash të vjedhura.
Avokatët e Ferizit parashtruan lirimin nga akuzat e reja, duke thënë se Departamenti i Drejtësisë po e ndjekë atë për hakmarrje, pasi ishin të mërzitur nga lirimi i parakohshëm, përcjell Demokracia.com.
Më 22 mars, të gjitha akuzat kundër Ferizit u tërhoqën.
Brinkema, në urdhrin e saj të 1 prillit, tha se prokurorët në Kaliforni e ndërtuan rastin e tyre mbi informacionin e një shoku të burgosur të Ferizit me një histori “të pabesueshme”.
Ajo tha se rrethanat e çështjes e dërguan në përfundimin se “kishte elemente brenda Departamentit të Drejtësisë që ishin aq të pakënaqur me vendimin e kësaj gjykate për lirimin e të pandehurit … saqë qëllimisht u përpoqën t’u shmangeshin këtyre vendimeve duke ngritur akuza të reja kundër të pandehurit”.
Një mbrojtës publik që përfaqëson Ferizin dhe një zëdhënës i Prokurorit të SHBA për Distriktin Lindor të Virxhinias kanë refuzuar të flasin për këtë çështje./Demokracia.com/