Pamje të pakëndshme rreth ndërtesës së Qeverisë së Kosovës pritet të shfaqen edhe sot. Kjo pasi pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese, njësisë më elitare të Policisë së Kosovës, do të protestojnë sërish para Qeverisë.
Protesta e dytë e pjesëtarëve të kësaj njësie vije pasi kryeministri Albin Kurti ka injoruar kërkesat e tyre për rritjen e shtesës së rrezikshmërisë.
Shefi i ekzekutivit nuk ka pranuar kërkesat e tyre as pas takimit që ka pasur sy me sy me këtë njësit, pjesëtarët e të cilit në mënyrë të suksesshme janë përballur me grupin e armatosur të Milan Radojiçiqit në Banjskë.
Protestës së sotme, e cila do të fillojë në ora 12:00, pritet t`i bashkohet edhe Sindikata e Policisë së Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i kësaj sindikate, Imer Zeqiri.
“Po, do të jemi në protestë, ku do t’i publikojmë edhe kërkesat tona. Në protestë di t marrim pjesë së bashku me këshillin drejtues të sindikatës.”, ka thënë Zeqiri për gazetën Nacionale.
Protesta e parë e Njësisë Speciale Intervenuese ka nxitur reagime të shumta të opinionit publik. Reagime më të ashpra kanë qenë nga opozita, e cila e ka ftuar Qeverinë që të reflektojë në raport me kërkesat e tyre.
Kërkesat e NjSI-së
Në protestën e parë, e cila është mbajtur më 11 nëntor, një pjesëtar i njësisë ka lexuar një deklaratë par media, ku ka bërë publike kërkesat e tyre.
Aty thuhet se ata nuk do të zmbrapsen nga kërkesat e tyre.
“Ne jemi unik, sepse kërkesat tona janë legjitime dhe të nevojës urgjente dhe nuk do të zmbrapsemi deri në realizimin e tyre. Prandaj, ftojmë kryeministrin dhe Qeverinë të ndërmarrin hapa konkretë në realizimin e tyre. I nderuar kryeministër, ju i dini shumë mirë rreziqet dhe kërcënimet që operatorët e këtyre njësive i bartin gjatë gjithë kohës, jo vetëm gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, por edhe në jetën private…Prandaj, mos luani me dinjitetin tonë, mos luani me ndjenjat e familjeve tona. Ne kemi dëshmuar vetën në shumë raste të kaluar dhe së fundmi në neutralizimin e grupit terrorist më 24 shtator 2023. Pra ne nuk zmbrapsemi asnjëherëa pavarësisht pengesave dhe vështirësive që na dalin përpara”, është thënë në deklaratë, duke treguar kërkesat.
“Kërkesat tona janë: Kategorizimin si njësi të veçanta dhe përfshirja në listën e ekspertëve dhe Rrezikshmëria të caktohet në 50 për qind të pagës bazë dhe shtesa për kushte specifike të punës.”, është shprehur përfaqësuesi i tyre para medieve.
Pas protestës së parë, pjesëtarët e këtij njërit kanë zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Por, takimi nuk ka sjell ndonjë rezultat.