Lajme
E braktisë politikën Isa Mustafa, njeriu me karrierën më të gjatë në Evropë
Demokracia
20:40 | 14 Mars 2021

Share:

Pak para zgjedhjes së kryetarit të ri të LDK-së, dorëheqjen e tij e zyrtarizoi Isa Mustafa, i cili ka rreth 5 dekada karrierë politike dhe lirisht mund të cilësohet si njeriu me karrierën më të gjatë politike në Evropë.

Isa Mustafa karrierën e tij politike e kishte nisur qysh herët, në vitet e ’80-ta. Për katër vjet rresht ai ishte kryetar i Këshillit Ekzekutiv të kryeqytetit të Kosovës – Prishtinës, ku përfshiheshin edhe komunat e Fushë-Kosovës, Obiliqit dhe Novobërdës. Ai ishte edhe drejtor i Entit Krahinor të Planifikimit Shoqëror, raporton Demokracia.com.

Në biografinë e Isa Mustafës, që ishte botuar në portalin e Komunës së Prishtinës para disa vjetësh, thuhej se “ekspertizën profesionale e filloi nga viti 1974 si pedagog në Universitetin e Prishtinës, ndërkohë ka qenë edhe kryetar i Qeverisë Komunale të Prishtinës (1984-1988), dhe drejtor i Entit për Plan dhe Zhvillim të Kosovës dhe ministër i Ekonomisë dhe Financave të Republikës së Kosovës (1991-1999)”.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ku Mustafa e kaloi rrugën më të gjatë politike ishte themeluar nga një shumicë akademikësh dhe ishte një ndër forcat kryesore politike në Kosovës deri në vitin 2004.

Në Qeverinë e Kosovës në ekzil, Isa Mustafa ishte Ministër i Financave.

Pas vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova kishin filluar përçarjet partiake e ndarjet. Mbi këto rrethana erdhi Isa Mustafa, i cili në cilësinë e Kryetarit të LDK-së arriti të bëhej Kryetar i Komunës së Prishtinës dhe Kryeministër i Republikës së Kosovës.

Isa Mustafa, pas dorëheqjes nga kreu i LDK-së, ka deklaruar se do t’i kthehet shkencës, porse nuk do të qëndrojë neutral ndaj zhvillimeve politike. /Demokracia.com/

Të ngjashme