Lajme
“E ardhmja është e jona”, thotë udhëheqësi rebel sirian
Demokracia
17:29 | 08 Dhjetor 2024

Share:

Komandanti rebel, Abu Mohammed al-Jolani, tha në një deklaratë të lexuar në televizionin shtetëror të Sirisë pas marrjes së Damaskut nga forcat e tij se nuk ka më kthim prapa.

“E ardhmja është e jona”, thotë udhëheqësi rebel në deklaratën e parë

Komandanti rebel, Abu Mohammed al-Jolani, tha në një deklaratë të lexuar në televizionin shtetëror të Sirisë pas marrjes së Damaskut nga forcat e tij se nuk ka më kthim prapa dhe grupi është i vendosur të vazhdojë rrugën që nisën në vitin 2011 gjatë Pranverës Arabe.

“E ardhmja është e jona”, tha al-Jolani në deklaratën e tij.

Jolani veproi në fshehtësi për vite me radhë. Tani ai është në qendër të vëmendjes, duke dhënë intervista për median ndërkombëtare dhe duke u shfaqur në terren në qytetin e dytë të Sirisë, Aleppo, pas marrjes së tij nga kontrolli i qeverisë për herë të parë gjatë luftës civile të vendit.

Që nga shkëputja e tij nga Al-Qaida në vitin 2016, Jolani ka kërkuar të paraqitet si një udhëheqës më i moderuar.

Megjithatë, ai ende nuk i ka shuar dyshimet midis analistëve dhe qeverive perëndimore që ende e klasifikojnë HTS si një organizatë terroriste.

Abu Mohammed al-Jolani është udhëheqësi i aleancës kryengritëse që ka kapur pjesë të mëdha të Sirisë përmes një ofensive të shpejtë.

Rruga për në Damask ishte e mbushur me uniforma të hedhura të ushtrisë. Në panik, ushtarët e ushtrisë siriane u zhveshën në rrugë në orët e para të mëngjesit të së dielës, duke kuptuar se lideri i tyre, Bashar al-Assad, i kishte braktisur pas 54 vitesh të sundimit të familjes së tij në Siri.

Tanket e ushtrisë siriane, të cilat supozohej të ndalonin ofensivën e shpejtë të rebelëve që kishte nisur vetëm 11 ditë më parë, qëndronin bosh përballë pikave të kontrollit me postera të liderit të ndjerë, Hafez al-Assad, me fytyrën e gjysmëgrisur. Nga zakoni, një shofer ndaloi dhe uli xhamin e makinës, por nuk kishte askënd në pikën e kontrollit.

“Nuk ka më pika kontrolli, nuk ka më ryshfete”, tha Mohammedi duke buzëqeshur, ndërsa shpejtonte drejt kryeqytetit sirian.

Damasku ishte ende në një gjendje mosbesimi; tymi nga betejat e natës së kaluar qëndronte mbi qytet si një mjegull.

Dritaret dridheshin nga shpërthime të herëpashershme, objektivi dhe pala ndërluftuese të panjohura. Vetëm disa orë më parë u njoftua se Bashar al-Assad kishte braktisur kryeqytetin dhe regjimi i tij kishte rënë.

Kreu i Hayat Tahrir al-Sham, Mohammed al-Julani, lideri më i shquar i rebelëve në Siri, njoftoi se ish-kryeministri sirian Mohammed Gaza al-Jalali do të drejtojë një qeveri kalimtare në muajt e ardhshëm.

Julani, i cili hoqi emrin e tij të luftës dhe preferoi emrin e lindjes – Ahmad al-Shaara – ndoqi gjithashtu forcat rebele. Ishin luftëtarët nga provinca jugore e Daraa, dhe jo HTS, ata që arritën te portat e Damaskut.

Luftëtarët e HTS ishin të zënë duke siguruar Homsin, lidhjen e fundit të Assadit me fortesat e tij bregdetare në Tartus dhe Latakia.

Udhëheqësi rebel mbërriti në xhaminë ikonike të Umajadëve në qytetin e vjetër të Damaskut në paraqitjen e tij të parë publike pas rënies së qeverisë së Assadit.

Të shihje udhëheqësin rebel në xhaminë, e cila ndodhej në zemrën e mëparshme të qeverisë, do të kishte qenë e paimagjinueshme vetëm disa ditë më parë. Për sirianët, mesazhi ishte i qartë: Bashar al-Assad kishte ikur.

“Jam shumë i emocionuar që ata [HTS] do të vijnë, do ta ndalojnë vjedhjen. Për vite me radhë nuk kemi mundur të blejmë bukë, tani gjërat do të jenë më mirë”, tha Mohammedi.

Rebelët sirianë kanë shpallur një shtetrrethim, efektiv prej orës 16:00 me atë vendore siriane, deri në orën 05:00 të ditës së ardhshme.

Arsyet e këtij shtetrrethimi nuk janë të qarta, por nga sa mund të kuptohet, mund të jetë vendosur për shkak të situatës disi kaotike të shkaktuar në kryeqytetin sirian, për shkak të festimeve të mëdha në rrugë për rënien e regjimit të Bashar al-Assad, me synim rivendosjen e një rendi në vend.

Ky i fundit ndërkaq, ende nuk dihet se ku është, ku ndër hipotezat e fundit, bie në sy një deklaratë e Ministrisë së Jashtme ruse, e cila thekson se Assad ka ikur nga Siria.

Ministria nuk tha se ku ishte tani Assad dhe tha se Rusia nuk ka marrë pjesë në bisedimet rreth largimit të tij.

Në deklaratë shkruhet se bazat ushtarake të Rusisë në Siri ishin vënë në gjendje gatishmërie të lartë, por se nuk kishte asnjë kërcënim serioz për to për momentin.

Shkruhet po ashtu se Moska ishte në kontakt me të gjitha grupet e opozitës siriane dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga dhuna.

Këta të fundit janë parë gjithashtu teksa shoqërojnë kryeministrin izraelit, me qëllim transferimin e pushtetit. Situata gjithsesi është e paqartë në kuptimin nëse do të shpallen apo jo momentalisht zgjedhje në Siri, pasi kryengritja vijon në veri të vendit, ku rebelët kanë marrë disa territore të kontrolluara nga kurdët.

Çfarë ka ndodhur ndërkaq në Siri gjatë kësaj kryengritjeje të suksesshme?

Në një kthesë të paprecedente ngjarjesh brenda pak ditësh, rebelët në Siri kanë arritur të marrin kontrollin e shteteve kyçe, mes të cilëve dhe kryeqyteti, Damasku, duke shpallur kështu përfundimisht fundit e regjimit të diktatorit Bashar al-Assad.

Në orët e vona të natës, grupimet e para të rebelëve ishin në zonat përreth Damaskut, teksa pas mesnate filloi edhe marrja e rrethinave të para, pa rezistencë nga Ushtria siriane, e cila duket se e ka braktisur detyrën dhe është kthyer në popullatë civile, ose ka dezertuar në Irak.

Avancimi vijoi më tej në orët e para të mëngjesit me orën vendore siriane, ku rebelët shpallën marrjen e Damaskut dhe u gjendën përpara portave të godinës presidenciale të Assad, siç raportohet krejtësisht e boshatisur.

Edhe pse ishte lajmëruar se Assad do të mbante një fjalë që dje në orët e mbrëmjes, diçka e tillë nuk ndodhi, me raportime se ai ishte arratisur drejt Emirateve të Bashkuara Arabe me një avion privat.

Këto raportime filluan të hidheshin poshtë dhe komente dolën në sipërfaqe se Assad vijonte të ishte në Damask.

Nga sa mund të thuhet, versioni i fundit jozyrtar është ai se përpara rënies së Damaskut, Assad ka hipur në një avion ushtarak nga aeroporti ndërkombëtar i kryeqytetit sirian, drejt një vendodhje të panjohur. Mirëpo avioni në mes fluturimi, në afërsi të rajonit të Homs, në perëndim të tij, ka humbur gjurmët nga radari, me hipoteza që variojnë nga një ulje e detyruar në përplasje.

Fati i Assad mbetet një mister për kohën e shkrimit të këtij artikulli, me përditësime të pritshme gjatë ditës.

Ishte më pas kryeministri sirian, Mohammad Ghazi al-Jalali, ai i cili bëri një adresim publik në formatin video, duke thënë se ishte në Damask dhe ishte i gatshëm të transferonte pushtetin me bashkëpunim, kundrejt kujtdo lidershipi që populli sirian vendos t’i japë votën.

Vetë rebelët sirianë ndërkaq pretendojnë se kanë pushtuar kryeqytetin e Damaskut, duke njoftuar rënien e regjimit të al-Assadit, sipas raporteve të Reuters dhe Al Jazeera.

“Tirani Bashar al-Assad ka ikur”, tha opozita e armatosur në një deklaratë. “Ne e shpallim Damaskun të lirë nga tirani Bashar al-Assad”.

Reagime të menjëhershme ndërkohë kanë ardhur edhe Izraeli, me deklarata se shteti hebre nuk ka ndërmend të ndërhyjë në ngjarjet e fundit në Siri. Megjithatë, në zonën veriore, në lartësitë Golan, një rajon sirian i pushtuar nga Izraeli, ka një mobilizim të shtuar nga IDF, ku janë futur edhe brenda territorit sirian, për të krijuar një barrierë të mundshme kundër infiltrimit të rebelëve sirianë.

Të ngjashme