OpEd
E ardhmja e zymtë e NATO-s
Demokracia
19:37 | 28 Prill 2022

Share:

Nga Jed Babbin “American Spectator”

Çdo ekspert po bën sot parashikimet e tij mbi të ardhmen e aleancës së NATO-s. Aktualisht shumë prej tyre po ndalen tek rigjallërimi i aleancës nëpërmjet më shumë stërvitjeve ushtarake pranë territorit rus, dhe arritjes së një fitoreje strategjike mbi Rusinë pa një përplasje ushtarake direkte.

Kohët e fundit është argumentuar se veç Finlandës dhe Suedisë, që thuhet se duan të anëtarësohen sa më shpejt në NATO, duhet të përfshihen sa më parë në aleancë edhe Serbia, Bosnje Hercegovina, Kosova dhe Gjeorgjia.

Disa nga këto ide, të tilla si zhvillimi i më shumë stërvitjeve të përbashkëta ushtarake (jo drejtpërdrejt në kufijtë me Rusinë) janë pozitive. Por nuk ka gjasa të ndodhin në realitet, sepse anëtarët e NATO-s nuk janë të interesuar për to. Anëtarësimi i Finlandës dhe Suedisë duhet të ndodhë së më shpejt, por pjesa tjetër e këtyre ideve janë ose të pamundura ose të këqija.

Çfarë kontributi do të sillte ndonjë nga këto vende, nëse Rusia do të sulmonte Estoninë, Letoninë ose Lituaninë, dhe ky vend do të detyrohej të zbatonte dispozitën e Nenit 5 të mbrojtjes reciproke të Traktatit të NATO-s?

E themeluar në vitin 1949 për të frenuar agresionin e Bashkimit Sovjetik, NATO-ja është e rrethuar nga kaq shumë probleme, saqë misionit të saj si një parandaluese efektive e agresionit rus, i ka ardhur pothuajse fundi. Së pari le të ndalemi tek shtetet anëtare të NATO-s, shumë prej të cilave janë politikisht problematike.

Më kryesorja është Turqia, e cila mbronte dikur krahun lindor të NATO-s. Problemi është presidenti i saj, Rexhep Erdogan, në pushtet që nga viti 2003. Erdogan është një islamik. Ai e ka larguar Turqinë nga vlerat perëndimore dhe është aleat më i ngushtë me Rusinë sesa me Shtetet e Bashkuara.

Sipas Traktatit të NATO-s, nuk ka asnjë mekanizëm për të dëbuar një vend anëtar, besnikëria e të cilit ka ndryshuar. Largimi i Turqisë nga NATO do ta forconte aleancën, por nuk mendohet që ta bëjë këtë me anëtarë e tjerë të alencës.

Së dyti shumica e anëtarëve të NATO-s jo vetëm që dështojnë të plotësojnë kriteret, por refuzojnë që të investojnë në mbrojtjen e tyre. Presidenti Donald Trump kishte absolutisht

të drejtë që i ndëshkoi vendet e NATO-s për atë dështim. Por tani me Xho Bajdenin në krye të SHBA-së, NATO ia ka kthyer sërish shpinën mbrojtjes.

Kur Rusia pushtoi Ukrainën, gjenerali Alfons Mais, komandant i ushtrisë gjermane, tha se ushtria e tij nuk kishte mundësi të ofrohej në mbrojtje të NATO-s. Shumë, në mos shumica, e ushtrive të vendeve të tjera anëtare të NATO-s janë në të njëjtën gjendje. Pati një dritë të shkurtër shprese se kjo gjë mund të korrigjohet.

Kancelari i ri i Gjermanisë, Olaf Sholc, tha se qeveria e tij do të rrisë së shpejti shpenzimet në mbrojtje për të përmbushur premtimin e NATO-s për shpenzimin e deri 2 për qind të PBB-së në vit. Ai ndaloi licensimin e gazsjellësit rus “Nord Stream 2”, të paktën përkohësisht.

Por është shumë e dyshimtë nëse Gjermania do të rrisë ndonjëherë shpenzimet e saj në mbrojtje. Sepse Gjermania, ashtu si shumica e vendeve të NATO-s, është më shumë e interesuar mbi eksportimin e produkteve komerciale dhe bujqësore sesa për mbrojtjen e saj.

Dhe pastaj është Franca, presidenti i së cilës Emanuel Makron deklaroi në vitin 2019 se “NATO ka pësuar një vdekje celebrale”. Duke qenë francez, Makron i reziston bashkëpunimit me NATO-n, pasi beson se Bashkimi Evropian duhet të ketë forcat e vetatë armatosura dhe një politikë të jashtme të pavarur nga NATO.

Natyrisht, BE-ja nuk do ta ndërtojë ndonjëherë një forcë të tillë, pasi nuk beson ende se vetëmbrojtja është diçka fitimprurëse, për sa kohë që faturën për këtë e paguajnë Shtetet e Bashkuara. NATO është zgjeruar me shpejtësi që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

Polonia u anëtarësua në vitin 1999. Estonia, Sllovakia, Sllovenia, Letonia, Lituania dhe Bullgaria u bënë pjesë e aleancës në vitin 2004. Mali i Zi u anëtarësua në vitin 2017, dhe Maqedonia e Veriut në vitin 2020. Norvegjia është një nga anëtaret themeltare të NATO-s. Marinsat e SHBA-së kryejnë rregullisht stërvitje me trupat norvegjeze.

Për të krijuar një bllok të NATO-s në vendet skandinave, Finlanda, që ka një kufi prej rreth 1280 km me Rusinë, dhe Suedia, duan që të anëtarësohen në aleancë, dhe duhet të lejohen ta bëjnë këtë pa asnjë vonesë. Por nuk ka asnjë argument mbështetës që Serbia, Bosnja Hercegovina, Kosova dhe Gjeorgjia duhet të pranohen në NATO.

Pranimi i Gjeorgjisë, në kufi me Rusinë, do të shërbente vetëm për të përkeqësuar frikën e Putinit për të qenë i rrethuar.  Dhe siç e ka treguar pushtimi i saj në Ukrainë, kërcënimet e Rusisë – edhe pse duhen marrë seriozisht – janë më shumë ekonomike sesa ushtarake. Këto kërcënime ekonomike kanë qenë shumë efektive në përçarjen e NATO-s.

Gjermania merr rreth 1/3 e gazit të saj natyror dhe një sasi po të barabartë të naftës nga Rusia. Norvegjia merr 20 për qind nga Rusia, dhe Holanda 12 për qind. Italia e merr rreth 25 për qind të gazit të saj nga Rusia. Bosnja dhe Serbia importojnë secila rreth 90 për qind të gazit natyror nga Rusia.

Është kjo arsyeja pse bankat ruse që e vendosin naftën dhe gazin në dispozicion të këtyre vendeve, u përjashtuan nga sanksionet e supozuara dërrmuese ekonomike që vendosën vendet e NATO-s ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të saj në Ukrainë.

BE thotë se do t’i japë fund importeve të gazit nga Rusia. Kjo do të kërkojë më shumë burime furnizimi, dhe kjo mund të kërkojë dekada. NATO është e ndarë midis atyre kombeve që varen nga Rusia për energji dhe atyre që nuk janë. Pra për shkak të varësisë së tyre energjetike nga Rusia, vendet e NATO-s nuk mund dhe nuk do t’u përgjigjen kërcënimeve të Rusisë.

Çfarë do të bënte ndonjë nga ato vende nëse Rusia do të sulmonte për shembull, Estoninë, Letoninë ose Lituaninë, dhe do të evokohej dispozita e Nenit 5 të mbrojtjes reciproke të Traktatit të NATO-s? Është e dyshimtë nëse NATO do të niste një luftë frontale kundër Rusisë.

Dhe Putin e di këtë. Shmangia e përplasjes me këtë të fundit është e dëshirueshme, por jo aq e rëndësishme sa pasja e një strategjie efektive të frenimit. Ndaj ne duhet t’u japim ukrainasve gjithçka që u nevojitet për të frenuar pushtimin rus, pse jo edhe për ta mposhtur plotësisht.

Por nëse NATO dëshiron të rifitojë besueshmërinë e saj, ajo duhet të bëjë të paktën dy gjëra. Së pari, t’i nxjerrë vendet anëtare nga varësia e tyre ndaj energjisë ruse. Kjo do të kërkojë që kërkesat e tyre të plotësohen nga burime të tjera.

Australia dhe Katari janë eksportuesit kryesorë të gazit, ashtu si SHBA-ja. SHBA-ja është eksportuesja e dytë më e madhe e gazit në botë, por neve, ashtu si vendeve që varen nga gazi rus na mungojnë anijet dhe tubacionet e gazit natyror të lëngshëm për të përmbushur nevojat e NATO-s. Ato duhet të ndërtohen sa më shpejt. Por kjo do të kërkojë të paktën një dekadë.

Së dyti, Bajden duhet t’u bëjë presion vendeve të NATO-s që të investojnë në mbrojtjen e tyre. Por ai nuk do ta bëjë këtë pasi nuk i intereson. E ardhmja e NATO-s duket shumë e zymtë. Ndoshta i dobësuar nga performanca e forcave të tij të armatosura në Ukrainë, Putin mund të mos jetë në gjendje të kryejë pushtimin e ndonjë vendi të NATO-s për 1 ose 2 vitet  ardhshme. Por kur ta bëjë, NATO do të dështojë ndoshta në arsyen kryesore të ekzistencës së saj.

Të ngjashme
OpEd • 28 Qershor 2024
OpEd • 27 Qershor 2024
OpEd • 25 Qershor 2024