Lajme
E akuzuan Thaçin se e fali: Zyrtarja e afërt me Albulena Haxhiun, pjesë e panelit që liroi me kusht nga burgu “shokun” e Deharit
Demokracia
16:04 | 02 Korrik 2024

Share:

Luz Allakajt, i dënuar me 15 vjet burg për një vrasje në Marmull të Gjakovës, i është aprovuar kërkesa për lirim me kusht. Allakaj është njëri nga të dënuarit më të shumëpërfolur, për shkak të afërsisë që kishte me Astrit Deharin, para vdekjes së aktivistit të VV-së. Përderisa dikur partia në pushtet e kritikoi ish-presidentin Thaçi për faljen e 3 vjet e gjashtë muajt ndaj Allakajt duke e ndërlidhur me rastin Dehari, tash edhe vet përfaqësuesja e Ministrisë së Drejtësisë ishte pjesë e panelit ku u votua për lirimin me kusht të Allakajt. Nacionale ka siguruar vendimin dhe sjell detaje.

Më 17 gusht të vitit 2020, partia opozitare në atë kohë, Lëvizja Vetëvendosje, kishte dërguar kërkesë në Presidencën e Kosovës, për të kërkuar sqarime pse Luz Allakajt i ishin falur 3 vjet e 6 muaj burg. Kërkesa ishte bërë nga Dimal Basha, Artan Abrashi dhe Alban Hyseni.

Dyshimet e partisë në pushtet ishin se falja ndërlidhjes me rastin e aktivistit të VV-së që vdiq në burgun e Prizrenit, Astrit Deharit. Kjo pasi Allakaj dhe Dehari ishin njohur në burg, madje Vetëvendosje theksonte se kishin qenë edhe shokë të qelisë.

Pas faljes së dënimit për Allakajn, edhe ministrja e Drejtësisë sot, Albulena Haxhiu, kishte dalur në konferencë për media, duke ngritur dilema për gjithë procedurën.

Katër vjet pas, Paneli për Lirim me Kusht, ia ka aprovuar kërkesën për lirim me kusht Luz Allakajt. Gazeta Nacionale e posedon vendimin e Panelit për Lirim me Kusht që është marrë në muajin prill, kurse është publikuar në qershor.

Përderisa sa ishte në opozitë Vetëvendosje e kritikonte faljen e dënimit për Allakajn, në pushtet, pjesë e vendimit për lirim me kusht kishte qenë edhe Argjira Asllani, e deleguar e Ministrisë së Drejtësisë në këtë panel. Argjira Asllani me ardhjen në pushtet të VV-së, ishte bërë drejtoreshë e Divizionit për Mbrojtjen dhe Përkrahjen e të Akuzuarve nga Gjykata Speciale.

Burimet i kanë thënë Nacionales se Asllani ishte deleguar në këtë Panel me direktiva nga ministrja Haxhiu. Pak kohë më pas, e njëjta bëhet pjesë e panelit për t’ia aprovuar lirimin me kusht Luz Allakajt, vendim të cilin dikur partia në pushtet e kritikonte ashpër.

Në mesin e arsyeve për aprovimin e kërkesës, Paneli ka konstatuar se Allakajt i kanë mbetur për t’i vuajtue edhe 2 vjet e katër muaj burg, nga dënimi total. Më pas, ka rezultuar se Allakaj ka pasur sjellje të mira gjatë qëndrimit në Shërbimin Korrektues të Kosovës.

“Në raportet e tjera të përpiluara nga ekipi profesionist i Qendrës Korrektuese, rezulton se i dënuari gjatë mbajtjes së dënimit ka treguar sjellje të mirë. Po ashtu, është i angazhuar me punë dhe bashkëpunues me stafin. Lidhur me rrezikshmërinë e mbetur për recidivizëm dhe ndaj komunitetit është konstatuar e mesme. I punësuar jashtë Institucionit Korrektues dhe shfrytëzues i benificionit të pushimit jashtë burgut. Po ashtu, lidhur me shkallën e risocializimit konsiderohet se i dënuari ka arritur shkallë të lartë të risocializimit dhe tani është i gatshëm që të riintegrohet në familje dhe shoqëri si person i dobishëm”, thuhet në vendimin që e ka siguruar gazeta Nacionale.

“Paneli konstaton se i dënuari ka treguar sjellje të mirë në harmoni me rendin dhe rregullat e Institucionit Korrektues, përkatësisht i dënuari gjatë mbajtjes së dënimit nuk ka të evidentuar shkelje të reja disiplinore edhe përkundër faktit se të njëjtit më parë i është refuzuar kërkesa për lirim me kusht. Në të dhënat për realizimin e programit të trajtimit të dënuarit, rezulton se i dënuari është i angazhuar me punë, i punësuar jashtë institucionit korrektues, dhe shfrytëzues i benificionit të pushimit jashtë burgut”, thuhet më tutje në këtë vendim për lirimin me kusht të Allakajt.

Vendimi mban firmën e gjyqtares Valdete Daka, që ishte edhe kryetare e Panelit. Pjesë e panelit pra ishte edhe zyrtarja e lartë e Ministrisë së Drejtësisë, Argjira Asllani.

7 muaj më parë në një konferencë për media, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, aludonte se falja e dënimit për shokët e Deharit, nuk kishte shije të mirë.

“Vdekja e Naser Makollit në burgun e Lipjanit, a ka pasur hetime se për çfarë është ankuar dhe pse ka ndërruar jetë? Adonis Gashi sa ishte në arrati e dinte se çfarë ka ndodhur, pas arrestimit të serishëm të tij i njëjti është marrë në pyetje por e ka kushtëzuar dhënien e deklaratave për rastin që e vuan dënimin. Luz Allakaj i janë hequr 3.5 vite nga ish-presidenti Thaçi. Shokët e dhomës së Astritit ose nuk janë gjallë, ose janë privilegjuar, ose nuk janë shfrytëzuar si duhet”, deklaronte ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Kush është Luz Allakaj?

Luz Allakaj kishte qenë i përfshirë në një vrasje në fshatin Marmull të Gjakovës, krim që kishte ndodhur më 1 gusht të vitit 2014. Sipas aktakuzës, Allakaj me qëllim të hakmarrjes kishte kryer një vrasje të dyfishtë në këtë fshat të Gjakovës.

Ai fillimisht u dënua me 17 vjet burg nga Gjykata Themelore në Gjakovë. Më pas, Apeli ia kishte ulur dy vjet dënim Allakajt.

Disa vite më pas, ish-presidenti Hashim Thaçi ia kishte falur 3 vjet e gjashtë muaj të dënuarit në fjalë.

Ky lajm do të bënte jehonë në Kosovë pasi Allakaj kishte qenë në mesin e personave të afërt të Astrit Deharit, sa ky i fundit ishte në burgun e Prizrenit.

Lëvizja Vetëvendosje pati dale me postim në rrjetin social facebook, ku akuzonte presidentin Thaçi që po i amniston personat të cilët mund të kenë dijeni për vdekjen e Astrit Deharit.

Në një konferencë pati dale edhe vet Albulena Haxhiu. Më vonë, kishte ardhur edhe një kërkesë për informacione nga anëtarët e VV-së në Komisionin për Legjislacion.

Se kush është dhe cila është historia e Luz Allakaj për rastin e Astrit Deharit, kishte dhënë një sqarim edhe ish-aktivisti i VV-së, tash kryetar i PSD-së, Dardan Molliqaj.

”Është një i burgosur që unë nuk marrë përgjegjësi për veprat që ka bërë, është Luz Allakaj, të cilin e njoh sepse kam qëndru burgun e Prizrenit një muaj me të vitin 2016. Ka rrejt ministrja e drejtësisë, një kësi rasti është dashur me shkarku. Ajo thotë të gjithë ata që kanë qenë në dhomë me Astrit Deharin, ose janë vdekur më vonë, ose janë falur nga presidenti Hashim Thaçi”, ka deklaruar Molliqaj në T7.

“Luz Allakaj nuk ka qenë në asnjë ditë të vetme në burg me Astrit Deharin. Në shërbimin korrektues janë të gjitha evidencat kush me kë është në dhomë. Ministrja e Drejtësisë për me rrit konspiracionin në shoqëri ju ka lshu në qaf një personi që ka qenë në krahun e njëjtë me Astrit Deharin, thotë ka qenë në dhomë për shakk se ai mos me dëshmu sipas saj presidenti Thaçi ia ka falur një pjesë të dënimit. Shiko çfarë manipulimi bën”.

“Po rrejnë me qëllim ky është problemi. Kur është dalë raporti tregohet në lëndë kush ka qenë në dhomë. Por atyre po iu duhet kështu, që filani ka vdekur në burg, që ka qenë dhomë me Astrit Deharin, filani tjetër është falur nga Hashim Thaçi”, ka thënë Molliqaj.

Nacionale është në pritje të përgjigjeve nga Ministria e Drejtësisë për këtë rast.

Të ngjashme