Lajme
E akuzoi për propagandë të ashpër kundër emigrantëve, kryeministrja e Italisë e padit gazetarin
Demokracia
14:58 | 13 Nëntor 2022

Share:

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka vendosur të padisë penalisht gazetarin investigativ dhe aktivistin Robert Saviano për shpifje, lidhur me komentet që ai ka bërë për politikën e saj ndaj emigrantëve që mbyten në Detin Mesdhe, raporton The Guardian.

Kjo është hera e dytë në rreth katër vjet që qeveria ka vënë në shënjestër Savianon me procedime penale, pavarësisht nga detyra për ta mbrojtur atë pasi mafia napolitane Gamorra bëri një kërcënim me vdekje pas botimit të librit të tij “Gomorrah” në vitin 2006.

Ai u akuzua për shpifje edhe nga ministri i atëhershëm i Brendshëm Matteo Salvini në vitin 2019, ndërsa tani pritet të thirret në gjykatën e Romës ditën e martë për t’iu përgjigjur akuzave të ngritura nga Meloni.

Saviano u shfaq në një program televiziv italian, “Piazzapulita”, pasi një foshnjë gjashtë muajshe nga Guinea u mbyt në Mesdhe në nëntor të vitit 2022. Foshnja ishte pjesë e 111 emigrantëve të shpëtuar nga anija e OJQ-së, “Open Arms”, por që fatkeqësisht ndërroi jetë para se të merrte ndihmë mjekësore.

Rasti u bë i njohur në Itali , pasi gazeta katolike “Avvenire” shfaqi një video të nënës së foshnjës duke qarë: “Ku është foshnja ime? Unë kam humbur fëmijën tim,” dhe publikoi një editorial të ashpër për paaftësinë e shtetit për të ndihmuar emigrantët në det.

Në program, Saviano shënjestroi Melonin, në atë kohë lidere e opozitës.

“Meloni dhe Salvini bënë një propagandë të egër dhe çnjerëzore anti emigrantëve. Meloni flet për këto anije të OJQ-ve si pirate; ajo tha se ata duhet të fundosen, ekuipazhi i tyre të arrestohet. Në dritën e kësaj dhe akuzës për shpifje, a mendoni vërtet që të miat ishin fjalë kaq fyese? Në klimën e një fushate elektorale dhe politikë ditore ndaj një kategorie njerëzish, duke i cilësuar si delikuentë, përdhunues dhe shtytës droge? Dhe tani një ‘barrë e mbetur’? Kjo është ajo që unë e quaj ofenduese, e ashpër dhe e mprehtë – të shkatërrosh jetën e njerëzve me propagandë”, tha ai.

Të ngjashme