Lajme
Dyshohet se përfituan 25 mijë euro kundërligjshëm, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj një avokateje dhe një përmbaruesi privat
Demokracia
12:09 | 30 Maj 2025

Share:

Prokuroria Themelore në Prishtinë , Departamenti i Krimeve të Rënda , Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, përmes një komunikate për media ka njoftuar se pas një pune të gjatë dhe të suksesshme hetimore ka ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i bazuar mirë se në veprimet e të pandehurës Sh.Sh, në cilësinë e avokates dhe përfaqësueses së palës së dëmtuar, janë plotësuar elementet e veprës penale Ushtrimi i Ndikimit nga neni 424 par. 1 të KPRK-së.

“Ndërkaq, gjithashtu ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri I.I., në cilësinë e përmbaruesit privat, duke keqpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për veten dhe tjetrin, në mënyrë të kundërligjshme ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe duke mos i përmbushur detyrat e tij zyrtare, me të cilat veprime ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par. 2 të KPRK-së”, njofton Prokuroria.

Prokuroria potencon se të pandehurit me veprimet e tyre kanë realizuar përfitim të kundërligjshëm pasuror, si dhe të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material në vlerë prej 25,000 € (njëzet e pesë mijë Euro).

Të ngjashme