Lajme
Dyshimet për vjedhje votash, KQZ e gatshme për bashkëpunim me prokurorinë
Demokracia
17:52 | 07 Mars 2021

Share:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), është shprehur i gatshëm që të bashkëpunojë me Prokurorinë e Shtetit pas dyshimit për vjedhje të votave.

Gjatë së shtunës në medie është publikuar një video me të cilën pretendohet se Dardan Stublla, bashkëshorti i ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka paguar katër komisionerë të cilët ua kanë vjedhur votat kandidatëve të tjerë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si dhe të njëjtat i kanë regjistruar në adresë të Haradinaj-Stubllas, për t’ia mundësuar asaj që të ketë dhe një mandat në Kuvendin e Kosovës.

E në lidhje me këtë, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë për Demokracia.com, se janë të gatshëm që të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Shtetit dhe t’i ofrojnë të gjitha materialet e nevojshme.

“Menjëherë pas transmetimit në media të lajmit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka komunikuar me Prokurorinë e Shtetit për t’i ofruar të gjitha informacionet dhe materialet e nevojshme për hetimin dhe zbardhjen e plotë të rastit. Ju lutem që për detaje të tjera t’i drejtoheni Prokurorisë së Shtetit”, është shprehur Elezi për Demokracia.com.

Theksojmë se gjatë ditëve të fundit një publikim i video-incizimit ku dyshohet për manipulim të votave për kandidatët për deputet bëri që vëmendja të kthehet e gjitha sërish në procesin zgjedhor dhe në atë se kush në të vërtetë mori vota të mjaftueshme për t’u bërë pjesë e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.

Publikimi i video-incizimit ku kuptohet manipulimi që u bë me votat për kandidaten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh kryediplomates kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla bëri që të ketë edhe reagime nga më të ndryshmet.

Ndryshe në videon e publikuar së fundi i kyçur në rast është bashkëshorti Meliza Haradinaj-Stublla, Dardan Stublla, i dyshuar për manipulim të votave.

Dyshohet se Stublla bleu me para katër komisionerë të cilët ua kanë vjedhur votat kandidatëve të tjerë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës si dhe të njëjtat i kanë regjistruar në adresë të Haradinaj-Stubllas, për t’ia mundësuar asaj që të ketë dhe një mandat në Kuvendin e Kosovës.

Pas këtyre publikimeve së fundi ka reaguar edhe vetë Dardan Stublla, i cili tha se ky rast është inskenuar dhe se tashmë rastin e ka publikuar në organet e rendit.

REAGIM KUNDËR VIDEOS SË PUBLIKUAR ME DATË 06 MARS 2021 ME TITULL: ’ VIDEO QË IMPLIKON BURRIN E MELIZA HARADINAJ STUBLLA…

Posted by Dardan Sh Stublla on E Diele, 7 Mars 2021

“Kjo video është komplet e inskenuar nga grupet kriminale që funksionojnë në shërbim të interesave të ngushta e personale, që kanë prapa persona të caktuar në përkrahje ‘të sapo aderuarve’ në listën për deputetë në AAK…”, ka thënë ndër të tjerash Dardan Stublla.

E pas publikimeve të fundit pa reaguar nuk mbetën as kandidatët e partive të tjera që ishin pjesë e listave të zgjedhjeve nacionale të zhvilluara më 14 shkurt.

Lirije Kajtazi, Jetlir Zyberaj e Faton Bislimi janë vetëm disa prej emrave të cilët reaguan për këtë.

E ngjashëm veproi edhe ish-ministrja e Financave, njëherësh kandidate për deputete nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami.

Bajrami theksoi se KQZ duhet të rinumërojë votat e zgjedhjeve të 14 shkurtit e madje këtë duhet ta bëjë në një lidhje direkte, përmes televizioneve nacionale.

Se çfarë saktësisht do të vendoset pas këtyre publikimeve lidhur me rinumërimin e mundshëm të votave, mbetet të shihet në veprimet e ardhshme nga organet përgjegjëse.

Komisioni Qendror Zgjedhor ka publikuar rezultatet përfundimtare ditën e enjte, e fitues nga këto zgjedhje doli të jetë Lëvizja Vetëvendosje që mori 49.95% të votave dhe kësisoj në Parlamentin e Kosovë do të ketë gjithsej 58 deputetë. /Demokracia.com/

Lexo edhe: 

DnV bën thirrje për hetime rreth dyshimeve për falsifikim të votave

Të ngjashme