Lajme
Dyshimet për keqpërdorimin e projektit milionësh| Nesër nënshkruajnë kontratë kompanitë përfituese që u mbajtën fshehtë
Demokracia
16:41 | 24 Mars 2022

Share:

Më 25 mars, nesër, do të nënshkruajnë kontratë kompanitë që kanë përfituar grante nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë përmes projektit CREP, emrat e të cilave u mbajtën fshehtë nga kjo ministri.

Demokracia.com kishte raportuar javë më parë se afër 10 milionë euro nga projekti CREP i Bankës Botërore janë ridestinuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për ndërmarrje të mesme dhe të vogla. Ky projekt ishte anuluar nga ana e MINT-it në Qeverisjen Kurti I. Ndërsa, mjetet prej mbi 7 milionë euro që ishin dedikuar për Agjencinë e Metrologjisë dhe 2.8 milionë për Agjencinë KIESA u ridestinuan me kërkesë të ministres Rozeta Hajdari për MNVM, pa dijeninë e këtyre dy agjencive, të cilat në raportet e tyre pretendojnë se ka pasur shkelje.

Siç kishte raportuar Demokracia në korrik e gusht të vitit 2021, MINT kishte lansuar thirrjen e dytë për grante të menaxhuar nga “Prishtina REA dhe WE Global”.

MINT dhe “Prishtina REA & WE global” u është dashur plot 4 muaj deri më 30 dhjetor 2021, që të vlerësojnë rreth 500 kompani aplikuese për grante, ku kanë përfituar 142 prej tyre.

Siç kishte gjetur Demokracia.com, pas ridestinimit të mjeteve, 5 milionë euro u janë dhënë grante kompanive vendore për të blerë makineri prodhuese, gjë që nuk parashihej as në marrëveshjen e parë 2017-s dhe as në marrëveshjen e dytë të 2020-ës.

Pjesa tjetër prej 5 milionë euro është dhënë për aktivitete të tjera, kryesisht me qëllim të rritjes së eksportit.

Demokracia.com ka gjetur se nga 9.8 milionë euro grante që kanë përfituar kompanitë e përzgjedhura, që i bie se mesatarisht do të marrin afër 70 mijë euro grante, emrat e tyre nuk janë bërë fare publik, por vetëm numrat e protokolleve.

Rrjedhimisht, qytetarët nuk e dinë se kush ka përfituar grante nga kjo ministri.

Kjo kontratë është në kuadër të projektit CREP, kredi e butë nga Banka Botërore, e cila ishte ndryshuar nga MINT. Kredia e butë fillimisht ishte ndarë për Agjencinë e Metrologjisë në vlerë prej mbi 7 milionë euro dhe 2.8 milionë për Agjencinë KIES, më pas mjetet ishin ridestinuar me kërkesë të ministres Rozeta Hajdari, për ndërmarrje micro të vogla dhe të mesme.

Agjencia e Metrologjisë dhe ajo e KIESA-s e kishin kuptuar se marrëveshja ishte ndryshuar vetëm pasi ajo ishte nënshkruar nga Ministri i Financave dhe Banka Botërore, me kërkesë të MINT-it.

Marrëveshja nuk ishte modifikuar, por ishte ndryshuar rrënjësisht dhe ishte anuluar programi i metrologjisë prej mbi 7 milionë euro. Raportet e Metrologjisë që i janë dërguar ministres Hajdari, i janë dërguar edhe ish-ministrit Vesel Krasniqi, por nuk janë marrë parasysh dhe krejt kjo ka ndodhur kur Banka Botërore në Kosovë nuk ka pasur drejtor. /Demokracia.com/ 

Më poshtë raportimi i plotë i Demokracisë për këtë projekt:

https://demokracia.com/dokumente-ministria-e-rozeta-hajdarit-ndryshoi-ne-heshtje-projektet-miliona-eurosh-mbahen-fshehte-kompanite-qe-perfituar/

Të ngjashme