Dyshimi për një financim të Partisë Demokratike në Shqipëri nga paratë ruse është rikthyer në qendër të debatit.
Këto akuza i ka mohuar Lulzim Basha, kreu i PD-së, duke deklaruar se nuk ka marrë asnjë financim të huaj, e aq më pak me burim rus.
Gazetari i njohur nga Tirana, Blendi Fevziu, ka komentuar për Nacionalen këtë temë, duke thënë se është një histori e njohur dhe e trajtuar në vitin 2018.
Tutue, Fevziu deklaroi se përkundër mohimit të akuzave, Basha nuk ka dhënë asnjë shpjegim shterrues se nga kanë ardhur 500 mijë dollarët e përmendur.
“Kjo është një histori e njohur dhe e trajtuar në vitin 2018. Basha ka qenë disa herë i ftuar në emision për këtë çështje dhe ka refuzuar ta pranojë. Ka deklaruar që është një histori e montuar. Ndërkohë Prokuroria shqiptare ka bërë hetim dhe e ka mbyllur çështjen për mungesë provash. Por, natyrisht deri tani ende Basha s’ka dhënë shpjegim shterrues se nga kanë ardhur këto 500 mijë USD.”, tha z.Fevziu.
Sipas televizionit BBC, Shtetet e Bashkuara kanë pretenduar se Rusia fshehurazi ka shpenzuar më shumë se 300 milionë dollarë nga viti 2014 për të ndikuar te politikanët në më shumë se 24 shtete, përfshirë Shqipërinë.
Pretendimi i Departamentit të Shtetit është i bazuar në një vlerësim të deklasifikuar të inteligjencës amerikane, të publikuar të martën.
Një zyrtar i lartë i administratës së presidentit Biden tha: “Ne mendojmë se kjo është vetëm maja e iceberg-ut.”