Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se një vit nga raportimet e para, Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) nuk ka ndërmarrë ende asnjë veprim lidhur me mosdeklarimin e një pozite të mundshme në një subjekt afarist nga ana e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi.
Demokracia.com kishte raportuar për këtë çështje qysh në vitin 2023, kur ishte bërë publik formulari i deklarimit të pasurisë për periudhën 2022. Edhe atëherë, Bislimi kishte dështuar të deklaronte pozitën e tij si anëtar i bordit në shoqërinë me përgjegjësi të kufizuar “AUK Research Center SH.P.K.” një entitet që figuron aktiv në regjistrat zyrtarë të ARBK-së dhe ATK-së.
Situata nuk ka ndryshuar as në deklarimin për vitin 2024, të bërë publik para pak muajsh. Edhe në këtë rast, Bislimi nuk ka raportuar funksionin që e mban në këtë kompani, pavarësisht faktit se një pozicion i tillë përbën konflikt të qartë interesi, meqë ai është i emëruar politik dhe me orar të plotë në Qeveri.
Përkundër kësaj, agjencia nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ndaj Bislimit, duke krijuar perceptimin e dyfishtë të standardeve për zyrtarët e lartë të pushtetit. E njëjta agjenci që është kompetente për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin, po injoron në mënyrë të qëllimshme rastet ku zyrtarët më të lartë të ekzekutivit nuk i nënshtrohen transparencës së kërkuar me ligj.
Vetë Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kishte deklaruar për Demokracia.com se “subjekti deklarues me rastin e deklarimit të pasurisë ka për obligim të deklarojë edhe funksionet tjera krahas funksionit zyrtar.” Madje, Ligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë e përcakton qartë se mosdeklarimi i tillë përbën shkelje ligjore, dhe në raste të tilla, APK është e detyruar ta përcjellë rastin në prokurori.
Në formular të pasurisë, Bislimi ka deklaruar se në Universitetin Amerikan ka vetem pozitën e ligjeruesit dhe merr pagë vjetore në një vlerë prej 23,626.68 € eurosh. Ai është i angazhuar me orar të plotë si nëpunës në Qeveri dhe ligjërues e në këtë OJQ në të njëjtën kohë. Pagë më të madhe në të njëjtën vend të punës merr bashkëshortja e tij profesoreshë, që kap një vlerë prej 30,336.00 €. /Demokracia.com/