Lajme
Dyshime korrupsioni e keqpërdorime me autorizime për ekspertiza të rrezatimit
Demokracia
23:38 | 13 Janar 2023

Share:

Keqpërdorime të shumta janë bërë në fushën e mbrojtjes nga rrezatimi e të cilat redaksia hulumtuese e emisionit “Udhëve” i ka dokumentuar mbi bazën e dosjeve të tëra, të siguruara në Agjencinë e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi e Siguria Bërthamore përmes qasjes në dokumente publike.

Shef i shërbimit për mbrojtje nga rrezatimi në IMP në Obiliq është Sehad Kadiri. Ai deri para pak javësh kishte edhe licencë të ekspertit të pavarur në Agjencinë e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore (AKMRRSB) që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit si dhe punon edhe në QKUK në shërbimin onkologjik.

Emisioni Udhëve ka gjetur disa ankesa që janë ushtruar ndaj Kadirit e ku pretendohet se ai duke shfrytëzuar monopolin në Institutin e Mjekësisë së Punës në Obiliq ka kushtëzuar institucionet që punojnë me rreze X, që atë ta kontraktojnë si ekspert për t’iu kryer ekspertizat institucioneve që kanë dashur të licencohen në Agjenci për të punuar me rrezatim. Madje, çmimi që Kadiri ka ofruar, sipas ankesave ka qenë më i lartë se ai i ekspertëve tjerë.

Agjencia ndërkaq ka të licencuar gjithsej 12 ekspertë për mbrojtje nga rrezatimi që vlerësojnë kushtet e punës në kabinetet që punojnë me rrezatim dhe bëjnë një raport përmbledhës nëse institucioni përmbushë kushtet për t’u licencuar.

Bazuar në kërkesën për qasje në dokumente publike që emisioni Udhëve ka parashtruar në AKMRRSB, rezulton se për periudhën 1 korrik 2022 deri më 15 shtator 2022 z. Kadiri është autorizuar nga Agjencia për të kryer ekspertiza private hiç më pak se 19 herë, derisa 11 ekspertët tjerë janë autorizuar për vetëm 5 ekspertiza.

Gjatë vitit 2021 nga 60 ekspertiza sa janë kryer në tërësi, 48 i ka kryer Sehad Kadiri, kurse 11ekspertët tjerë i kanë kryer vetëm 12 ekspertiza.

Dumani: Shihet qartë se kemi të bëjmë me njëanshmëri që i vie era korrupsion

Shyqri Dumani është një nga ekspertët tjerë të njohur nga Agjencia, e që pikërisht për këtë çështje ka shprehur shqetësimet e tija në AKMRRSB.

Në Ankesën e siguruar nga emisioni Udhëve përmes kërkesës për qasje në dokumente publike thuhet: “Nga lista, sipas kontratës shihet qartë se mbi 80 përqind të punëve i janë dedikuar një kompanie, gjegjësisht një personi. Nga këto të dhëna, shihet qartë se kemi të bëjmë me njëanshmëri që i vie era korrupsion. Përveç kësaj duket qartë se është edhe konflikt interesi”.

Kjo konfirmohet nga u.d. drejtoresha e Agjencisë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, znj. Besa Curri Limani.

“Autorizimet e Ekspertëve lëshohen duke u bazar në mbështetje të nenit 7 nënparagrafi 1.3 të Ligjit Nr. 06/L-029 për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguri Berthamore, në nenin 10 nënparagrafi 1.12 të Rregullores Nr. 24/2018 për Autorizime, Rregulloren Nr. 08/2020 për Kufijtë e Dozave dhe Mbrojtjen nga Rrezatimi, dhe në pajtim me Ligjin Nr. 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative”.

Sehad Kadiri mohon gjitha këto pretendime. “Zotëri Dumani nga forma si e ka përpilu këtë ankesë shihet që nuk e di si merret kjo punë. Puna nuk merret në Agjenci, por ti gjen klientin, partnerin, nënshkruan kontratën, është formular i kërkesës dhe dorëzohet në agjenci dhe agjencia e shqyrton”, ka thënë ai.

Eksperti Shyqri Dumani i cili ka akuzuar për konflikt interesi, monopol dhe ka përmendur edhe korrupsionin ka ngritur shqetësimet e tija edhe për emisionin Udhëve.

“Arsyeja kryesore ka qenë që leje për të bërë ekspertiza të burimeve radioaktive iu ka dhënë vetëm një personi të caktuar ndërsa ekspertët tjerë kanë qenë të gjithë jashtë sistemi, që do të thotë shumë pak iu kanë dhënë ekspertiza nga ana e Agjencionit. Andaj kam kërku që të gjithë ekspertët që janë të licencuar të kenë qasje në bërjen e ekspertizave të burimeve radio aktive, gjegjësisht gjeneruesve të rrezeve Iks”, ka thënë Dumani.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Ankesa të shumta në adresë të shefit të dozimetrisë në IMP

Por Kadiri thotë se tregu është tërësisht i lirë dhe njohja me pronarë të kabineteve të rëntgenit ka bërë që ai të ketë numër më të madh të kontratave. I pyetur nëse është shfrytëzuar pozicioni i tij si shef i dozimetrisë për këto kontakte, ai ka mohuar një gjë të tillë.

Por, megjithatë institucionet që punojnë më rreze X për t’u licencuar në Agjencinë e Rrezatimit, e katë të domosdoshme që të lidhin me kontratë me Institutin e Mjekësisë së Punës (IMP), për leximin e dozimetrave. Paradoksalisht, qysh konfirmon vet drejtoresha e Agjencisë për Mbrojtje nga Rrezatimi, Besa Curri – Limani, vet IMP nuk janë të licencuar në Agjenci.

Por, mos kontraktimi i z. Kadiri si ekspert i pavarur për të kryer matjet del se i ka kushtuar me vonesë disa muajshe të licencimit edhe kompanisë “My Clinik”, pronari i së cilës po ashtu është ankuar në AMRRSB në një shkresë më datën 16.02.2021, të siguruar përmes qasjes në dokumente publike.

“Ne po besojmë se po na bëhet qëllimisht pasiqë i njëjti nuk e ka marrë punën në institucionin tonë për matjet si kompani private; por për shkak të çmimit të lartë që ka kërkuar ne nuk e kemi përzgjedhë” – thuhet në ankesën e Ekan Ibrahimit, ku ceken edhe dëmet që iu kanë shkaktuar si biznes si pasojë e shtyrjeve të licencimit.

Kadiri edhe për këtë ankesë ka thënë se absolutisht nuk ka të bëjë me punën e tij. “Ne kemi qindra klientë që kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin shërbime nga ky institut. Praktikisht, më lejo të sqaroj, si ka ndodhur te kjo ankesë. Ky ka bërë kërkesë zyrtare për furnizim me dozimetra. Kur kemi bisedu i kam thënë është mirë për mënyrën dhe për pagesat nuk kemi pasur asnjë formë të bisedës. Në lidhje me këto ankesa unë nuk jam njoftuar asnjëherë, unë nuk jam njoftu asnjëherë”, thotë Kadiri për emisionin hulumtues “Udhëve” në RTK.

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

“Pazaret” e Kadirit në QKUK

Në kuadër të dosjes së siguruar përmes kërkesës për qasje në dokumete publike, Udhëve ka siguruar edhe një shkresë tjetër të protokoluar në Agjencinë për Mbrojtje nga Rrezatimi me numër protokoli 087 të datës 25.03.2022, nga Besar Halimi, pronar i kompanisë “Denta Vit”.

Në këtë shkresë që në subjektin e saj përmbanë një ankesë ndër të tjera thuhet: “Para disa ditësh më ka kontaktuar z. Sehad Kadiri (kontaktin e posedoj në telefon) i cili më ka njoftuar se kontrata është gati dhe si të tillë mund ta lidhim në QKUK – Klinika e Onkologjisë në ora 16.00 më datë 11.03.2022. Kam shkuar në QKUK, jam takuar dhe nuk jemi dakorduar në lidhje me kushtet e kontratës, pasiqë unë nuk jam pajtuar të paguaj 100 euro për dozimetër (pasiqë ka shumë kolegë të mi, të cilët kanë paguar vetëm për shërbim dmth 10 euro). Zotëri Sehad Kadiri e ka shqyer kontratën në prani timen dhe më ka udhëzuar që të dal jashtë zyrës në Klinikën e Onkologjisë. Kadiri e ka konfirmuar se e ka shqyer kontratën. Mirëpo thotë se takimin e ka bërë në oborr të QKUK-së.

“Ka qenë kërkesa e tij që ne të takohemi pas dite ku unë vetëm i kam ofru vetëm letra të gatshme, ja ku i ke nëse do vetëm me i nënshkru…”, shprehet Kadiri i cili pohon se kontratën e ka shkyer pas refuzimit të palës për ta nënshkruar atë. “Nuk ka të bëjë me inatin por kur refuzon një dokument që nuk të shërben më normalisht që e shkyen. Nuk ke pse e lë”, ka shtuar ai.

Redaksia e emisionit Udhëve ka kontaktuar edhe me zyrën e u.d. drejtoreshës së SHSKUK- së, znj. Pranvera Zejnullahu Raci, ku përmes zyrës për Informim e njëjta është pyetur nëse është e ligjshme që të zhvillohen aktivitete të kontraktimit të ekspertizave me subjekte private në hapësirat e SHSKUK-së.

“U.d. Drejtoresha e përgjithshme e ShSKUK-së, ndodhet në pushim vjetor. Gjithsesi, ne do ta njoftojmë lidhur me interesimin tuaj”, thuhet në një përgjigje të zyrës së drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK –së.

Ndërkohë drejtori i IMP Rexhep Kaçuri, i pyetur se a ka pasur ndonjë ankesë nga ndonjë subjekt në lidhje me punën e z. Kadiri, në një përgjigje përmes e mailit thotë se verbalisht ka pas diskutime te ndryshme, siç ka për secilin punëtor.

“Kanë qene nga palët e ndryshme me interesa te caktuara, por asnjë zyrtarisht”, thotë Kaçuri, sipas të cilit, insituti ka licencë për të kryer punët.

Curri – Limani: Nuk isha në dijeni se kishte ankesa. Kam kërkuar përgjigje për këtë

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

E drejtoresha e Agjencisë për Mbrojtje nga Rrezatimi, Besa Curri Limani thotë se për këto ankesa është njoftuar tek pasi redaksia e emisionit “Udhëve” ka kërkuar dosjen përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.

“Unë kam kërku me shkrim prej zyrtarëve të Agjencisë një përgjigje për statusin e këtyre ankesave. Përgjigjen që kam marrë është se personat që janë në komisionin e vlerësimit nuk kanë të drejt të jenë edhe në shqyrtim të ankesave”, thotë ajo.

Ndërkohë, derisa Kadiri është punonjës i SHSKUK-së një dilemë tjetër ëstë se sa janë të pavarura raportet që bëhen për rrezatimin e punonjësve të këtij institucioni.

Shkëndije Nuza, Drejtoreshë në Klinikën e Radiologjisë thotë se problem mbetet fakti se nuk kanë pasur mundësi që të marrin një mendim sekondar në lidhje me matjet që bëhen në IMP në Obiliq.

“Mënyrën e matjes, me vërtetu se si maten, ne nuk ka një mendim sekondar për vlerësim. E mirëseardhur do të ishte edhe një verifikim prej dikujt tjetër”, ka thënë ajo.

E Kadiri thotë se gjatë gjithë kohës IMP janë në një proces ndërkrahasimi me shoqatën evropiane për dozimetri. “Shoqata Evropiane për dozimetri është institucioni më kredibil që organizon çështjet e ndërkrahasimit të vlerave dhe rezultatet e saj janë më të besueshmet.

Përveç kësaj kemi ndërmarrë hapat e kalibrimit të pajisjes”. Ndërkohë, edhe javën që vjen, emisioni Udhëve do të flasë për keqpërdorimet me licenca, ku do të jepen detaje për arsyet e një urdhërese të Inspektoratit të Agjencisë për Mbrojtje nga Rrezatimi për revokimin e licencës së Seat Kadirit dhe ndalimin e kryerjes së ekspertizave nga një person tjetër që përdorte kodin e Kadirit./RTK

Të ngjashme