Lajme
Dyfytyrësia e Kurtit | Agim Veliut i thoshte “mundesh, por pastaj s’mundesh” e Rashiqin që ia kërkoi Asociacionin e quan “politikan shembull”
Demokracia
19:24 | 06 Janar 2023

Share:

Kryeministri Albin Kurti gjatë qeverisjes në mandatin e parë e kishte shkarkuar nga detyra Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliun, me arsyetimin se ai ishte deklaruar kundër qëndrimit të Qeverisë. Ndërsa, Kurti tash e quan “politikan shembull” ministrin e ri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, i cili e kërkoi formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Njoftimi për shkarkimin e Veliut ishte bërë i ditur nëpërmjet një komunikate për media, ku thuhej se “Veliu është deklaruar kundër qëndrimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme” dhe se asokohe ministri Veliu kishte përhapur panik. Muaj më vonë kur Kurti ishte ende në krye të Qeverisë në detyrë, pati folur edhe për shkarkimin e Veliut.

“Nuk mundesh, ndoshta edhe mundesh, po pastaj nuk mundesh se të shkarkojnë”, kishte thënë Kurti me ironi.

Mirëpo, sot kur Kurti është përsëri në krye të Qeverisë, duket se nuk i bën përshtypje që ministri i tij, Nenad Rashiq, kërkon themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Vetë Kurti flet kundër themelimit të Asociacionit sa herë që ia ofrojnë mikrofonin. Sa ishte në opozitë, Kurti e kishte përdorur “rrastë” Asociacionin si goditje ndaj pushtetit, por tash kur është në pushtet, ministrin që ia përmend formimin e Asociacionit e quan “politikan shembull”.

“Unë e kam takuar dje ministrin Rashiq. Kemi biseduar për një çështje tjetër. Dua të them që pajtohem me të shumë dhe e konsideroj politikan shembull. Por kjo s’do të thotë që kryeministri me ministrin Rashiq pajtohet për gjithçka, tërë kohen e plotësisht. Kjo s’ndodh as brenda të njëjtit subjekt politik lërë më me një ministër”, tha sot Kurti i pyetur për qëndrimin e Rashiqit.

Ndryshe, Kosova dhe Serbia e kanë arritur Marrëveshjen e Brukselit më 19 prill 2013. Një pjesë e kësaj marrëveshje i kushtohet formimit të Asociacionit. Bazuar në këtë marrëveshje, Asociacioni përfshin një strukturë të komunave me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovicën e veriut, Zubin Potokun, Zveçanin, Leposaviqin, Graçanicën, Shtërpcën, Novobërdën, Kllokotin, Ranillugun dhe Parteshin, e cila synon t’i integrojë serbët në tërë territorin e Kosovës. /Demokracia.com/

Të ngjashme