Lajme
Virusi që “gjunjëzoi” botën, dy vjet nga rasti i parë me Covid-19 në Wuhan të Kinës
Demokracia
15:39 | 08 Dhjetor 2021

Share:

Pikërisht në këtë ditë, më 8 dhjetor të vitit 2019 u zbulua rasti i parë i një sëmundjeje misterioze në Wuhan të Kinës. Sëmundje kjo që la mbi 5 milionë njerëz të vdekur në mbarë botën.

Përhapja e shpejtë e kësaj sëmundje ndezi alarmin në mbarë botën, duke u vendosur masa të rrepta kufizuese kundër COVID-19.

Masa parandaluese u vendosën në shumë shtete të botës, duke filluar nga mbyllja e kufijve.

Ora Policore e mbyllja e bizneseve i përcolli miliarda qytetarë në mbarë botën për dy vite më radhë.

Ndërsa, tani varianti Omicron ka thelluar shqetësimet, përkundër që 54 për qind e popullsisë globale kanë marrë të paktën një dozë vaksinës, ende nuk dihet sa do të zgjasë pandemia e COVID-19.

Si shpërtheu COVID-19 në botë?

Pas Kinës, më 23 shkurt, Italia u bë vendi i parë evropian që vendosi bllokada, pas një përhapjeje të shpejtë të këtij virusi.

Më 11 mars 2020, Organizata Botërore e Shëndetit e shpall Covid-19 pandemi. Deri në atë moment ishin regjistruar 4616 vdekje, transmeton Demokracia.com.

Pandemia nuk la pa prekur edhe shkollat dhe më 20 prill 2020, mbyllja e shkollave preku mbi 80 për qind të nxënësve dhe studentëve në botë.

Më 28 shtator 2020, bota kaloi mbi 1 milion vdekje, ku SHBA-ja dhe Brazili regjistruan numrin më të madh të vdekjeve.

FDA autorizoi vaksinën Pfizer për përdorim urgjent më 11 dhjetor 2020, e ndjekur nga vaksina Moderna më 18 dhjetor.

Derisa vaksina po shihej si një shpresë për përfundimin e pandemisë, më 24 mars 2021 një valë e dytë nisi të trazojë botën. U zbulua një tjetër variant i COVID-it, ai i Delta-s, me ç’rast India pezulloi eksportet e vaksinave ku edhe u bë epiqendra globale e pandemisë.

Pas një rënie të ndjeshme në pranverë, në korrik rastet filluan të rriten sërish, si në SHBA, ashtu edhe në BE, me të pavaksinuarit e prekur më rëndë.

Kurse më 29 korrik 2021, Izraeli njoftoi se do të fillojë administrimin e dozave përforcuese, duke filluar një trend në shumicën e vendeve të pasura.

Më 1 nëntor të këtij viti, numri i viktimave nga ky virus arriti në 5 milionë, përkundër që gjysma e popullsisë globale ka marrë të paktën një dozë.

Shqetësimet u thelluan kur më 25 nëntor 2021, Afrika e Jugut raportoi variantin e ri të njohur si Omicron.

Si u përballë Kosova me COVID-19?

Më 13 mars 2020, ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Arben Vitia, njoftoi se MSH pas përfundimit të analizave në IKSHPK të 15 rasteve të dyshimta, dy kanë rezultuar pozitivë dhe gjendja e tyre shëndetësore rezulton të jetë stabile. Njëra ishte e moshës 20 vjeçare me nënshtetësi italiane dhe tjetri i moshës mbi 77 vjeçar, me nënshtetësi kosovare.

“Janë marrë të gjitha masat kundër personave me të cilët ata kanë qenë në kontakt”, kishte thënë Vitia, transmeton Demokracia.com.

Masat e para të vendosura nga qeveria e atëhershme për parandalimin e përhapjes së këtij virusi, zvrazën dyqanet, derisa qytetarët po përpiqeshin të përgatiteshin për t’u përballur me diçka të re e të panjohur.

Procesi i imunizimit të popullatës në Kosovë ka nisur në muajin mars dhe deri tani janë dhënë 1 milion e 633 mijë e 364 doza të vaksinës.

Kosova, deri më sot, i ka 768.814 qytetarë të vaksinuar me dozën e dytë. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme