Lajme
Dy vdekje të dyshimta në 24-orët e fundit në Kosovë
Demokracia
10:22 | 02 Korrik 2024

Share:

Një person është gjetur i vdekur në banesën e tij në Prizren të hënën.

Lajmi është bërë i ditur përmes raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, ku njoftohet se rasti është duke u hetuar.

“Viktima mashkull kosovar është gjetur pa shenja jete në banesën e tij. Njësitet policore, zjarrfikësit dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku edhe është konstatuar vdekja e viktimës”, thuhet në raport.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

Përveç vdekjes në Prizren, sipas organeve të rendit edhe një person është gjetur pa shenja jete në Gjakovë.

“Viktima mashkull kosovar, në shtëpinë tij është gjetur pa shenja jete nga dy dëshmitarë meshkuj kosovarë. Me vendim të prokurorit,  trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”.

Në vendin e ngjarjes, potencohet se kanë dalë njësitë relevante policore dhe ekipi mjekësor, ku edhe është konfirmuar vdekja e viktimës.

Ndërkaq, në fshatin Zllatar të Ferizajt, është arrestuar një person, pasi që organet e rendit, gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, dyshohet se kanë gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike.

Me vendim të prokurorit, njoftohet se i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Më tej, në raport, bëhet e ditur se më 30 qershor është raportuar se nuk dihet rreth vendndodhjes së një personi, ky rast është duke u hetuar.

“Një mashkull kosovar, ka raportuar se vajza e tij e mitur është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vend ndodhjen e saj. Rasti vazhdon të hetohet”, theksohet tutje.

Tutje, brenda 24-orëve katër raste të dhunës në familje janë raportuar që kanë ndodhur në Kosovë.

Të ngjashme