Lajme
Dy të lënduar, e disa vetura të dëmtuara: Çfarë dihet deri më tash për shpërthimin e granatës në veri?
Demokracia
08:36 | 16 Janar 2024

Share:

Mbrëmë pak para mesnatës, në Mitrovicën e Veriut pati sërish një shpërthim. Atje ndodhi një shpërthim, që sipas hetimeve të para, ka qenë granatë e dorës.

Si pasojë e shpërthimit, dy qytetarë kanë mbetur të lënduar, njëri prej tyre më rëndë, por jashtë rrezikut për jetë.

Gjithashtu, më shumë se 7 vetura kanë pësuar dëmtime si pasojë e shpërthimit të fuqishëm, raporton Nacionale.

Lajmin e ka konfirmuar zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani.

“Rreth orës 23:50, një granatë e dyshuar e dorës ka shpërthyer në afërsi të hotelit Bishevac, në rrugën Knjaza Millosha në Mitrovicën Veriore. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar 7 automjete dhe kanë mbetur të plagosur dy persona. Një person ka mbetur i plagosur rëndë por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Njësitet kompetente policore janë në vend dhe po merren me rastin”, ka thënë Elshani.

Pjesa e rrugës ishte mbyllur tërësisht për qarkullim.

Elshani ka theksuar në një tjetër deklaratë se janë duke zhvilluar hetime, për arsyet që kanë çuar deri te shpërthimi.

Në vendin e ngjarjes dolën edhe pjesëtarët e EULEX-it dhe KFOR-it.

Mediumi KosovoOnline ka publikuar mëngjesin e sotëm edhe pamjet që dëshmojnë për dëmet që ka pasur në vetura.

Situata në veri vazhdon të jetë e brishtë. Para dy ditësh, Policia e Kosovës pati një shkëmbim me armë me një të dyshuar për drogë, i cili goditi me veturë Policinë e Kosovës.

Javë më parë, Policia e Kosovës konfiskoi tjetër sasi armatimi në pjesën veriore.

Në anën tjetër, janë të shpeshta paralajmërimet e liderëve të shtetit të Kosovës, për rrezikun e sulmeve të tjera nga Serbia siç ishte rasti i Banjskës.

“Pas sulmit terrorist, Millan Radoiçiq u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në Kosovë, bashkë disa pjesëtarë të organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’. Radoiçiq është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të BIA-s. Ambientet e firmës, Jabllanovica në Rashkë, si ato të Novi Pazar Put, po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiq dhe grupi i tij. Realisht, në këtë ndërtesë strehohen disa anëtarë të ‘Mbrojtjes Civile’, që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës”, tha Kurti.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ditë më parë deklaroi se që nga viti 2021, Policia e Kosovës ka qenë cak i më shumë se 100 sulmeve në pjesën veriore.

Si pasojë e një sulmi terrorist në Banjskë, u vra polici Afrim Bunjaku, dhe pati beteja të ashpra mes Policisë dhe grupit të udhëhequr nga Milan Radojiçiq. Tre terroristë u vranë nga Policia e Kosovës, kurse dy të tjerë janë të arrestuar.

Milan Radojiçiq vazhdon të endet i lirë nëpër Serbi.

Eksplozija ručne bombe u Severnoj Mitrovici

Të ngjashme