Christian Mba dhe Theophilus Solomon ndajnë pozitën e parë në listën e golashënuesve pas katër xhirove të zhvilluara në Superligën e Kosovës në futboll.
Sulmuesi i Trepçës ’89 dhe ai i Gjilanit kanë realizuar nga tre gola në këtë start të kampionatit, raporton Demokracia.com.
Mba shënoi dy gola në sfidën e parë kundër Dritës (2:2) dhe një kundër Gjilanit (3:1). Në anën tjetër, Solomon ka shënuar gjithashtu dy gola në takimin e parë debutues në elitë kundër Ferizajt (3:2) dhe një kundër Malishevës (1:0).
Pas tyre, në listë renditen edhe Endrit Krasniqi i Prishtinës, Pllana i 89-shit, Alban Shillova i Malishevës dhe Mevlan Zeka i Gjilanit me nga dy gola të regjistruar.
Edicionin e kaluar, ish-futbollisti i Gjilanit dhe tanimë i Llapit, Gerhard Progni ka fituar çmimin e “Këpucës së Artë” me 23 gola të realizuar.
Rekordin për gola të shënuar brenda një edicioni i mban sulmuesi gjilanas, Mirlind Daku i cili në edicionin 2020/21 kishte realizuar plot 31 gola me fanellën e Ballkanit./Demokracia.com/