Lajme
Dy rrugët që mund të ndjekë Berisha për të kundërshtuar vendimin e Bashës
Demokracia
12:21 | 12 Shtator 2021
Foto Ilustrim

Share:

9 shtatori ishte data e nisjes së një beteje brenda Partisë Demokratike mes kreut aktual Lulzim Basha dhe paraardhësit të tij, Sali Berisha.

Pasi u përjashtua nga Grupi Parlamentar, Berisha ka paralajmëruar lëvizje brenda partisë për të rikthyer sipas tij Partinë Demokratike në piedestalin që meriton.

“Do marr çdo nismë ligjore statutore brenda PD për rikthimin e saj në piedestalin që meriton…”, është shprehur ndër të tjera Berisha.

Por si mund ta konkretizojë Sali Berisha këtë nismë brenda PD-së?

Bazuar në statutin e Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dy rrugë për kundërshtuar Lulzim Bashën.

Berisha e ka cilësuar vendimin e Bashës “nul”, por për ta kontestuar zyrtarisht do duhet t’i drejtohet nenit 54 të statutit.

Në pikën dy të këtij neni thuhet, “komisioni shqyrton ankesat nga anëtarët e PDSH-së kundër masave disiplinore të marra ndaj tyre nga secili organ i partisë…”

Kjo kërkesë do të shqyrtohet nga komisioni Apelimit, Integritetit dhe Etikës, që drejtohet nga Flutura Açka. Do i takojë këtij komisioni për të vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të Bashës për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, shkruan euronews.al.

Rruga e dytë që mund të ndjekë Berisha brenda Partisë Demokratike do të ishte një mocion mosbesimi në Kuvendin Kombëtar, që duhet të mbështetet nga gjysma e anëtarëve të Këshillit Kombëtar.

Si rregull, Kuvendi Kombëtar mblidhet çdo 4 vjet, ai thirret nga kryetari, kryesia e partisë ose nga ¼ e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar.

Pas Kuvendit të zhvilluar më17 Korrik, Këshilli i ri Kombëtar i Partisë Demokratike përbëhet nga 487 anëtarë.

Se cilën nga këto rrugë do të ndjekë Sali Berisha në betejën që ka nisur ndaj pasuesit të tij në krye të PD, do kuptohet gjatë javëve në vazhdim.

Të ngjashme