Lajme
Dy persona humbën jetën gjatë një sulmi në Kherson
Demokracia
10:53 | 18 Shtator 2023

Share:

Rusia kreu një valë të re sulmesh ajrore dhe granatimesh në Ukrainë gjatë natës, duke vrarë dy persona në rajonin jugor të Khersonit, thanë zyrtarët ukrainas të hënën.

Guvernatori i rajonit Kherson, Oleksandr Prokudin, tha se një burrë 72-vjeçar dhe një grua e moshuar u vranë në sulmin rus në rajon dhe se tre persona të tjerë u plagosën, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Ai tha se katër të tjerë u plagosën në sulmin e mëngjesit me dron në qytetin e Berilit dhe shtoi: “Okupatorët sulmuan qëllimisht një vend plot me njerëz, duke hedhur eksploziv pranë stacionit të autobusëve lokalë”.

Guvernatori rajonal i Odesa-s, Ole Kiper tha se distrikti Izmail, shtëpia e porteve në Danub që përdoren për eksportet e grurit, ishte në shënjestër të sulmit me dron, por nuk dha detaje mbi ndonjë dëmtim të portit apo infrastrukturës së grurit.

Ai tha se 11 dronë u shkatërruan në sulmet në zonë dhe një objekt rekreacioni në qytetin e vogël të Vilkove u godit. Zjarri u shua shpejt atje, shtoi ai.

Guvernatori i rajonit fqinj Mikolajiv tha se rënia e mbeturinave shkaktoi një zjarr në një ndërtesë të papërdorur në vendbanimin Snihurivki, i cili u shua menjëherë dhe vala goditëse dëmtoi ndërtesat aty pranë. Ai nuk dha detaje të tjera.

Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se 18 nga 24 dronë rusë u rrëzuan gjatë natës dhe 17 raketa lundrimi u rrëzuan mbi rajonet e Dnipropetrovsk, Poltava dhe Khmelnytskyi, transmeton Demokracia.

Të ngjashme