Sport
Dy ndeshje interesante për sot në Superligë| Drita e pret Prishtinën, Ferizaj përballet me Malishevën
Demokracia
09:07 | 22 Prill 2023

Share:

Java e 30-të në Superligën e Kosovës hapet sot me dy ndeshje që pritet të jenë tejet interesante.

Drita, që humbi pozitën e parë në tabelë javën e kaluar dhe mbeti pa trajner, do të jetë nikoqire e Prishtinës.

Në këtë përballje të kaltrit nga Gjilani hyjnë pas dy barazimeve rresht, derisa kryeqytetasit kanë tri fitore në katër sfidat e fundit.

Sa i përket renditjes, Drita është e dyta me 57 pikë, një më pak se lideri, e plot 16 pikë më shumë se Prishtina që është e katërta.

Në duelet direkte, një fitore ka Drita, një Prishtina, e një ndeshje ka përfunduar pa fitues.

Ndeshja tjetër për sot është ajo mes Ferizajt dhe Malishevës, skuadrave që pësuan humbje në xhiron e kaluar.

Vetëm një pikë është dallimi mes tyre në renditjen në tabelë, me Ferizajn që ka 31 për pozitën e tetë, karshi 30 pikëve të Malishevës si e nënta.

Nga tri përballjet direkte të këtij sezoni, dy fitore i kanë takuar malishevasve, teksa një është mbyllur baras.

Të dy ndeshjet e sotme do të zhvillohen nga ora 15:00.

Të ngjashme