Lajme
Dy muaj nga certifikimi nuk konstituohet Kuvendi, 22 mbledhje të dështuara
Demokracia
20:20 | 27 Maj 2025

Share:

Saktësisht dy maj nga certifikimi i zgjedhjeve dhe përkundër 22 mbledhjesh në seancë, të zgjedhurit e popullit dështuan sërish në përpjekjet për konstituimin legjislaturës së nëntë të Kuvendit. E vetmja risi, ishte diskutimi i hapur për përpjekjen e Lëvizjes Vetëvendosje për të joshur dy deputetë të LDK-së, të cilëve u tha se u janë bërë oferta biznesore, por edhe shantazhe.

E dështuar rezultoi edhe mbledhja e 22-të e të zgjedhurve të popullit në përpjekje për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit, që rastisi në dy mujorin e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Sërish në votim nuk morën pjesë mjaftueshëm deputetë, ndërsa 54 ngritën dorën për krijimin e komisionit për votim të fshehtë.

E vetmja risi ishte diskutimi i hapur, por pa emra, për dy deputetë të Lidhjes Demokratike të cilët u tha se Lëvizja Vetëvendosje po bën përpjekje t’i joshë, përmes ofertave biznesore, por edhe shantazhit.

“Format e presionit janë të ndryshme, një ndër to është edhe kjo që e potencuat, duke ofruar benefite të ndryshme për bizneset e tyre familjare”, ka thënë Anton Quni, Deputet i LDK-së.

“Nuk e di për besë për çfarë po flet. Nëse është shantazhuar dikush janë organet e drejtësisë që merren me të… S’jam në rrjedha për çfarë po flisni… Cilët janë deputetët që i kemi kontaktua, na kemi çua edhe letër, ofertë LDK-së për me bë një koalicion, kështu që nëse ka diskutime ndërmjet deputetëve kjo është krejt normale”, ka thënë Dimal Basha, Deputet i LVV-së.

Ndërsa, partia e dytë dhe e tretë fajësuan të parën për bllokadën.

“Bllokada e institucioneve e ka emrin e Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut. Edhe një herë bëjmë ftesë për reflektim. Qytetarët na kanë votuar për t’i adresuar problemet dhe sfidat e tyre e jo për të përmbushur egot dhe kryeneçësinë. Kosova është më e madhe se secili prej nesh”, ka thënë Vlora Çitaku, Deputete e PDK-së.

“Kemi dhënë një propozim që të bëhemi bashkë dhe të dalim prej kësaj krize se turp, është marre çfarë po ndodhë këtu. Më shumë se kaq LDK nuk mund të bëjë. Nuk ka çantë magjike LDK – që të zgjidh të gjitha problemet. Duhet kompromis, duhet të ulemi dhe të bisedojmë e të flasim për zgjidhjen eventuale që i duhet Kosovës”, ka thënë Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së.

Derisa e propozuara e LV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu tha se Nismën Socialdemokrate e shohin si partnere, kreu i kësaj partie, Fatmir Limaj, tha se janë “të gatshëm për partneritet në parlament”, por shtoi se “tani për tani” nuk janë të interesuar për Qeveri.

Vazhdimi i radhës i seancës që nisi më 15 Prill u caktua për të enjten e 29 Majit, në orën 11.

Të ngjashme