Lajme
Dy kontrata të hapura| Ministria e Xhelal Sveçlës shpall tenderin mbi 12 milionësh për pasaporta (DOKUMENT)
Demokracia
13:01 | 19 Qershor 2023

Share:

Ministria e Punëve të Brendshme, e udhëhequr nga Xhelal Sveçla, më në fund ka arritur ta finalizojë kontratën për furnizim me dokumente personale. 

Në shkurt të këtij viti, MPB-ja e ka rekomanduar për kontratë një ofertë që është vlerësuar e papërgjegjshme teknikisht nga një ekspert i OSHP-së.

Ndërsa, sot është bërë e ditur se kontrata i është dhënë Grupi i Operatorëve Ekonomikë “AUGENTIC GmbH; IN Groupe”, shkruan Demokracia.com.

Kontrata është lidhur më procedurë të hapur, derisa MPB ka kontratë me procedurë të hapur edhe me kompaninë tjetër gjermane “Veridos GmBH?” për “Furnizim me dokumente blanko, pasaporta, letërnjoftime dhe patentë shoferë”.  Ndaj kësaj kompanie Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë në gusht të vitit 2022 në drejtim të veprës penale “Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”.

Kontrata me “Veridos GmBH?” ishte lidhur në fillim të këtij viti.

Siç bëhet e ditur në kontratën e publikuar në KRPP, Grupi i Operatorëve Ekonomikë “AUGENTIC GmbH; IN Groupe” do të përfitojë plot 12,231,954.27 euro.

Ndërkohë, edhe ky proces u përball me dyshime për favorizimin e një konsorciumi ekonomik në garë, pavarësisht prej konstatimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit se oferta e saj ishte e papërgjegjshme.

Për këtë tender kishin qenë në garë dy konsorciume private nga Gjermania: “Muhlbauer ID Service GmbH & YMALKO shpk” dhe “AUGENTIC GmbH & In Groupe”.

Pas vlerësimit dhe shqyrtimit të ofertave, në tetor të vitit të kaluar, MPB-ja e kishte shpallur të papërgjegjshme dhe i kishte eliminuar nga gara të dy ofertat e dy konsorciumeve private në garë.

Ky vendim i kishte hapur rrugë një beteje të gjatë administrative mes kompanive dhe MPB-së.

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), pas ankesës së konsorciumit privat “Muhlbauer ID Service GmbH & YMALKO shpk”, kundër vendimit të MPB-së e kishte shpallur të pavlefshëm vendimin e MPB-së për anulim të tenderit dhe lëndën e ktheu në rivlerësim.

OSHP-ja në vendimin e saj kishte vlerësuar se MPB-ja kishte kryer shkelje gjatë vlerësimit të ofertave, shkruan Demokracia.com.

Ndërsa, gjatë rivlerësimit të ofertave, Komisioni për Rivlerësim i Ministrisë së Punëve të Brendshme e shpalli fitues të kontratës, ofertën e konsorciumit “AUGENTIC GmbH & In Groupe” në vlerë mbi 2 milionë euro.

Po ashtu, komisioni i kishte shpallur të përgjegjshme të dyja ofertat, por, pasi që kriter për dhënien e kontratës ishte çmimi më i ulët, MPB-ja e rekomandoi për kontratë konsorciumin “AUGENTIC GmbH & In Groupe”.

Edhe oferta e konsorciumit të përbërë nga kompanitë “Muhlbauer ID Service GmbH” dhe “YMALKO Sh.P.K.” u shpall e përgjegjshme, por nuk u rekomandua për kontratë shkaku i çmimit të ofertës, rreth 100 mijë euro më të lartë sesa çmimi i konsorciumi tjetër.

Megjithatë, ky vendim i komisionit rivlerësues të MPB-së rezultoi të jetë pjesërisht i pabazuar. Kështu rekomandoi një ekspertizë e ekspertit shqyrtues të prokurimit, e cila ishte publikuar më 8 maj.

Ekspertiza e OShP-së vlerësoi se vendimi i mëparshëm i OSHP-së, i datës 3 shkurt, “në asnjë rrethanë” nuk ka konstatuar se oferta e “AUGENTIC GmbH & In Groupe” është e përgjegjshme.

“Sa i përket pjesës tjetër të pretendimit se ‘në asnjë rrethanë dhe në asnjë paragraf nuk ka konstatuar OSHP se oferta e GOE të rekomanduar për dhënie të kontratës është e përgjegjshme’, kjo pjesë e pretendimit është e bazuar, sepse as ekspertët dhe as Paneli Shqyrtues nuk kanë konstatuar diçka të tillë”, thuhet në raportin e ekspertizës së OShP-së.

Po asht, dyshimet për favorizimin e ofertës së “AUGENTIC GmbH & In Groupe” nga MPB-ja ishin thelluar edhe me një vlerësim tjetër të ekspertizës së OSHP-së.

Ekspertiza kishte vlerësuar se MPB-ja shkeli dy nene të Ligjit për Prokurimin Publik kur rekomandoi për kontratë konsorciumin “AUGENTIC GmbH & In Groupe”, ndonëse i njëjti nuk e ka plotësuar në tërësi kërkesën për stafin profesional. 

Pas ankesës së konsorciumit të eliminuar nga gara dhe publikimit të raportit të ekspertit të OShP-së, Ministria e Punëve të Brendshme e kishte pezulluar procesin.

Ndërsa, në vendimin e fundit OSHP-ja e ka refuzuar si të bazuar ankesën e operatorit ekonomik “GOE Muhlbauer ID Services GMbh & YMALKO SHPK”.

Kësisoj MBP ka njoftuar për dhëni të kontratës për konserciumit “AUGENTIC GmbH; IN Groupe”. /Demokracia.com/

 

 

 

 

 

 

Të ngjashme
Lajme • 06 Maj 2024