Luka Modric, mesfushori legjendar kroat, i ka dhënë fund qëndrimit të tij të gjatë dhe të suksesshëm te Real Madridi. Pas 13 vitesh të mbushura me trofe – plot 28 gjithsej – ai largohet nga “Santiago Bernabéu”, por ende nuk ka vendosur t’i japë fund karrierës si futbollist profesionist.
Aktualisht, dy klube kryesojnë në garën për ta transferuar: Inter Miami nga liga amerikane MLS dhe Al-Nassr nga Arabia Saudite. Në njërën anë është klubi i Lionel Messit, që i ofron Modricit një mundësi për të luajtur në një ligë në rritje dhe në një vend pritës të Kupës së Botës 2026.
Në anën tjetër është klubi i Cristiano Ronaldos, i gatshëm të bëjë një ofertë të fuqishme financiare dhe t’i japë atij një rol kyç në skuadër.
Motivimi kryesor i kroatit është qëndrueshmëria në formë dhe përgatitja për Kampionatin Botëror që do të mbahet vitin tjetër në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Modric dëshiron të jetë pjesë e këtij eventi madhor me Kroacinë, dhe zgjedhja e klubit të ri pritet të lidhet ngushtë me këtë synim.
Inter Miami do të ishte një zgjedhje e natyrshme për një përmbyllje të qetë të karrierës, ku Modric do të luante përkrah emrave të mëdhenj në një mjedis të rehatshëm dhe me rëndësi në aspektin e marketingut.
Nga ana tjetër, Al-Nassr po ndërton një projekt ambicioz dhe ka demonstruar gatishmëri për të investuar në yje të futbollit evropian, ku Modrić do të ishte një tjetër emër me peshë.
Vendimi i tij për të ardhmen pritet të merret së shpejti dhe mbetet të shihet nëse ai do të ribashkohet me Ronaldon në Arabinë Saudite, apo do të ndjekë gjurmët e Messit në SHBA.