Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Republikës së Kosovës, Rrahman Jasharaj ka folur rreth kërkesave për Ministrinë e Arsimit, ndërsa ka theksuar se opsioni i grevave mbetet i hapur, nëse nuk u plotësohen ato.
Jasharaj në një prononcim për Demokracia.com, ka thënë se SBASHK po kërkon mbështetje shtesë për pagat në sektorin e arsimit.
“Siç edhe e kemi bërë publike, sot i kemi dërguar edhe kërkesën e radhës kryeministrit Hoti dhe ministrit Likaj, që të takohemi dhe të diskutojmë për dy kërkesat që janë publike dhe janë kërkesat e anëtarësisë, e para është që Qeveria Hoti të ndaj nje mbështetje shtesë karshi pagave të sektorit të arsimit për arsye se nga shtatorit, punohet në shkolla ashtu siç e ka paraparë manuali i MASHT-it.”, ka thënë ai.
Jasharaj tutje tha se kërkesa tjetër e tyre është që të nënshkruhet kontrata e re mes ministrit Ramë Likaj dhe SBASHK-ut.
“Nga ana tjetër, kërkesë e jona është që pasi që Komisioni i përbashkët i Ministrisë së Arsimit dhe SBASHK-ut kanë punuar një kohë të gjatë dhe më në fund kanë arritur pajtueshmërinë e plotë për përmbajtjen e kontratës së re kolektive kemi kërkuar dhe kërkojmë që ministri Likaj të ketë vullnetin e mirë dhe të nënshkruaj këtë kontratë më kryetarin e SBASHK-ut.”, theksoi ai.
Në fund, Jasharaj për Demokracia.com ka thënë se nëse nuk u realizohen kërkesat, opsioni i grevave mbetet i hapur.
Kujtojmë se shkollat në Kosovë kanë filluar nga sot gjysëmvjetorin e dytë dhe para kësaj, nga SBASHK-u kishin deklaruar që mund të ketë greva për shkak që siç thanë ata, mosplotësimit të kërkesave të tyre./Demokracia.com