Sport
Dy ish-klubet e Fadil Vokrrit, Prishtina e Llapi e kujtojnë legjendën e futbollit në trevjetorin e vdekjes
Demokracia
12:53 | 09 Qershor 2021

Share:

Sot më 9 qershor, janë bërë tri vjet që nga vdekja e legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrrit.

Në këtë përvjetor të vdekjes së tij, ikonën e futbollit kosovar e kanë kujtuar figura të njohura të sportit dhe jo vetëm, shkruan Demokracia.com.

Dy klubet kosovare në të cilat ka bërë karrierë legjenda, Fadil Vokrri janë edhe Prishtina e Llapi.

Dy ish-klubet e tij e kanë përkujtuar në këtë trevjetor të vdekjes së tij.

FC Prishtina ka publikuar një fotografi të gjeneratës 1983/84 kur Vokrri mbronte ngjyrat “bardhekaltër” të kryeqytetasve, duke shkruar se kjo duhet të jetë si inspirim për gjeneratën e sotme.

Në tre vjetorin e ikjes së futbollistit më të madh të klubit, ikonës, Fadil Vokrri, e kujtojmë së bashku me gjeneratën e 1983/84, njëra ndër më të suksesshmet atëkohë në ish-Ligën e parë Federative. Le të shërbej kjo si inspirim për gjeneratën e sotme që skuadra të arrijë sa më larg në garat ndërkombëtare”, ka shkruar faqja zyrtare e FC Prishtinës.

Klubi tjetër “bardhekaltër”, Llapi ka shkruar në faqen zyrtare në lidhje me trevjetorin e vdekjes së ish-futbollistit të tyre, Fadil Vokrrit.

Ata e kanë kujtuar Vokrrin si një ndër kontribuesin më të madh të futbollit kosovar.

3 vite pa Legjendën Fadil Vokrri. Shkuarja e hershme e tij në botën tjetër na la me dhimbje, mall e kujtim. Do ta kujtojmë çdo herë kontributin e madh të tij dhënë futbollit kosovar. I pavdekshëm kujtimi për ty. Kryesia e K.F. Llapi. Presidenti z. Beqir Batatina”, shkruhet në postimin e KF Llapit.

Kujtojmë se Fadil Vokrri ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës në kohën kur Kosova u pranua me të drejta të plota në dy shtëpitë më të mëdha të futbollit në botë, UEFA dhe FIFA në vitin 2016. /Demokracia.com

Të ngjashme