OpEd
Dy fytyrat e Italisë dhe si po ia del të ringjitet në skenën globale
Demokracia
22:49 | 03 Shkurt 2024

Share:

Nga Ronald H. Linden & Emilia Zankina* – Në Romën e lashtë, Janusi nderohej si Perëndia me dy fytyra e fillimeve dhe tranzicioneve. Prej tij vjen edhe emërtimi i muajit të parë të vitit, janarit. Në Romën moderne, qeveria e Giorgia Melonit po shfaq një qasje të ngjashme me Janusin, teksa ndeshet me një mjedis të ri global.

Politika e jashtme e qeverisë së saj, kërkon mbështetje të fuqishme dhe një aleancë më të ngushtë me Perëndimin. Në vend, një retorikë jo-liberale, madje duhet thënë shumë e ashpër, po dikton tonin e debatit mbi problemet sociale dhe sfidën e migracionit të paligjshëm.

Kur Meloni mori detyrën në tetor 2022, bota po përjetonte ndryshimet më gjithëpërfshirëse dhe më të shpejta që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Ashtu si aleatët e saj në NATO dhe BE, qeveria e re nuk e kishte luksin që të ruante statuskuonë. Kjo jo vetëm për shkak të natyrës së ashpër të ndryshimeve, përfshirë luftën në Ukrainë dhe një pandemi globale, por edhe sepse tani nga Italia pritej të merrte në shumë përgjegjësi dhe në proporcion me peshën e saj të rritur, në një BE të dobësuar nga largimi i Britanisë së Madhe.

Që nga viti 2019, Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe bota kanë përjetuar disa ndryshime domethënëse, të cilat ndikuan dhe po ndikojnë tek politikat e të gjitha shteteve, përfshirë Italinë. Së pari ishte pandemia Globale. Në Evropë, Covid-19 goditi së pari dhe shumë më rëndë Italinë, vendin me popullsinë më të cenueshme në Evropë.

Në atë kohë ra ndjeshëm ekonomia dhe tregtia e jashtme, sidomos ajo me Kinën. Gjithsesi në fund të pandemisë, Italia mori miliarda euro ndihmë nga BE-ja dhe vendet perëndimore.

Së dyti u përball me një BE të ndryshuar. Që nga viti 2021, Italia u bë ekonomia e tretë më e madhe e bllokut dhe ushtria e dytë më e fuqishme e saj.

Largimi i Britanisë, e bëri Italinë përfituesen e tretë kryesore të investimeve kineze brenda BE-së (pas Gjermanisë dhe Francës). Po ashtu, Italia është klienti i tretë kryesor për mallrat kineze, të cilat përbëjnë gati 18 për qind të importeve të Italisë jashtë BE-së. Komuniteti kinez në Itali është më i madhi në Evropë, me mbi 300.000 njerëz.

Së treti ishte pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Kjo solli ripërtëritjen dhe zgjerimin e NATO-s. Përkundër të gjitha pritshmërive, BE-ja miratoi dhe i zgjeroi sanksionet tregtare dhe financiare kundër Rusisë. Për pasojë, gati e gjithë Evropa reduktoi ndjeshëm importet e saj energjitike nga Rusia (sidomos të gazit natyror) duke kaluar tek furnizuesit alternativë si Algjeria dhe Shtetet e Bashkuara. Para luftës, 40 për qind e importeve të gazit nga Italia vinte nga Rusia. Një vit më vonë, kjo shifër ishte më pak se gjysma.

Një faktor i katërt ishte dobësimi i Kinës. Investimet direkte të brendshme dhe të jashtme kanë rënë me shpejtësi, dhe investimet kineze në Evropë kanë rënë me më shumë se 40 për qind që nga kulmi i tyre në vitin 2018. Ndërsa u rrit dyshimi i Evropës mbi politikat grabitqare kineze, dhe u përkeqësuan marrëdhëniet e Pekinit me Shtetet e Bashkuara, kompanitë e mëdha u bënë të kujdesshme dhe kthyen kokën diku tjetër.

Bashkëlidhur me këtë të fundit janë tensionet SHBA-Kinë. Politikat e ashpra tregtare, të nisura që nën administratën e paqëndrueshme të Donald Trump, kanë vazhduar edhe nën udhëheqjen e Joseph Biden, dhe janë fokusuar kryesisht në kufizimin e qasjes së Kinës në teknologjinë e nivelit të lartë.

Së fundi nuk duhen injoruar efektet e luftës në Lindjen e Mesme. Përplasja e gjatë dhe e tensionuar midis Izraelit dhe regjimit të Hamasit në Rripin e Gazës, shpërtheu një në dhunë brutale me sulmin terrorist të 7 tetorit në Izrael. Përgjigja shumë e ashpër e Izraelit në Gaza, nënkuptonte shkatërrimin e çfarëdolloj qoftë “ekuilibri” kishte ekzistuar.

Në këto kushte, qeveritë në mbarë botën kanë qenë të detyruara t’i përgjigjen kësaj lufte dhe pasojave të tjera rajonale brenda kufizimeve të aleancave të tyre dhe shoqërive komplekse.

E themeluar në vitin 2012, partia e Melonit, Fratelli d’Italia, mbeti për shumë kohë në periferinë e politikës italiane. Ajo mori më pak se 2 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, dhe më pak se 5 për qind në vitin 2018.

Ajo që nisi të ndryshojë gjërat ishte prishja një vit më vonë e koalicionit qeveritar të drejtuar nga Lëvizja Pesë Yjet, e udhëhequr nga dy qeveri të njëpasnjëshme të udhëhequra nga Giuseppe Conte, dhe pastaj e një koalicioni të ri i udhëhequr nga ish-kreu i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, që rezistoi për 20 muaj.

Në mesin e këtyre dinamikave në ndryshim, fushata elektorale e Giorgia Melonit në vitin 2022, kombinoi pozicionet e të djathtës me qëndrimet e forta personale. Ajo premtoi se do të mbronte kombin italian nën sloganin “Pronti” (Gati).

Por nga ana tjetër shfaqi një pozicion të moderuar për çështjet gjeostrategjike, dhe një angazhim të vendosur ndaj BE-së, NATO-s dhe partneritetit transatlantik. Meloni e zbuti retorikën anti-BE dhe ofroi mbështetje të plotë për Ukrainën. Ajo u zotua të ndalë “rënien ekonomike, sociale dhe kulturore” të vendit, duke promovuar uljen e taksave për kompanitë dhe familjet italiane, mbrojtjen e bizneseve dhe punëtorëve italianë, dhe politikat për të rritur normat e lindjeve.

Atë vit Fratelli D’Italia u renditën të parët me 26 për qind të votave, duke formuar një koalicion që përfshinte Lega-n nacionaliste të udhëhequr nga Matteo Salvini dhe partinë e qendrës së djathtë Forza Italia të udhëhequr nga i ndjeri Silvio Berlusconi. Sot Meloni mbetet politikania më popullore në vend me 44 për qind, ndërsa partia e saj mbështetet nga 30 për qind e italianëve.

Edhe pse qeveria e Melonit përfaqëson koalicionin më të djathtë në historinë e republikës italiane, nuk është vërtetuar frika se Meloni do ta çonte Italinë në një rrugë radikale dhe me pasoja katastrofike për aleancën perëndimore. Pavarësisht nga retorika e brendshme, politikat e jashtme dhe angazhimet e Melonit, kanë qenë inkurajuese për aleatët e saj.

Italia është sot fuqia detare më e aftë në Mesdhe. Ajo shihet gjithnjë e më shumë si partnerja e preferuar, teksa aleati tjetër i NATO-s Turqia, vazhdon të përplaset me Greqinë, dhe duket se nuk dëshiron të ndërpresë lidhjet ekonomike me Rusinë. Për më tepër, Roma ka mbajtur qëndrime të prera kundër sfidave ndaj hegjemonisë perëndimore, qofshin ato nga Rusia apo Kina.

Në përgjigje të pushtimit rus, Italia ka qenë një nga mbështetëset më të fuqishme të Ukrainës, si në retorikë ashtu edhe në ndihmë materiale, përfshirë sistemet anti-tank dhe raketat tokë-ajër. Roma e mbështet fuqishëm anëtarësimin e Ukrainës në BE dhe procesin e rindërtimit të saj.

Kur shpërtheu lufta në Lindjen e Mesme, qeveria e Melonit e dënoi sulmin terrorist të Hamasit dhe u rreshtua në mbështetje të Izraelit. Qëndrimi i saj është në përgjithësi në një linje me atë të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të saj kryesorë të BE-së.

Qeveria italiane është angazhuar si në diplomacinë e saj vetjake, ashtu edhe në atë shumëpalëshe për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të mbështetur një zgjidhje me dy shtete. Raporti i Italisë me vetë BE-në ka qenë kompleks, për shkak të politikave të mëparshme të imponuara ndaj Romës, kur Italia e rrezikua nga një nivel borxhi i papërballueshëm. Por me rreth 70 miliardë eurot nga Fondet e Rimëkëmbjes, nuk u vërtetua as frika se qeveria e Melonit do ta bllokonte BE-në në shumë prej nismave të saj kryesore.

Asnjë shembull nuk e ilustron më mirë natyrën e dyfishtë të politikave të Romës, sesa përpjekja e saj për t’u përballur me dhjetëra mijëra emigrantë afrikanë, të Lindjes së Mesme dhe aziatike, në një mënyrë që të kënaqë elektoratin e saj në vend, dhe në të njëjtën kohë të mos përplaset me aleatët e BE-së.

Si kryeministrja Meloni ashtu edhe zëvendëskryeministri Matteo Salvini, kanë premtuar të ndalojnë udhëtimet e rrezikshme të anijeve të tejmbushura nëpër Mesdhe. Një dekret i diskutueshëm u bë ligj nga parlamenti në maj të vitit të kaluar, duke autorizuar ndalimin e emigrantëve në të ashtuquajturat Qendra të Paraburgimit dhe Riatdhesimit, ku kushtet u ngjajnë atyre në burgje.

Ligji u prit me protesta nga magjistratët, përfshirë një gjyqtar nga Catania, i cili refuzoi të zbatonte ligjin dhe liroi të paktën 2 herë emigrantë të ndaluar, duke shkaktuar një skandal të madh, akuza dhe shpifje ndaj tij nga pjesëtarët e koalicionit qeverisës.

Por pavarësisht masave të ashpra, numri i emigrantëve në vitin 2023, u dyfishua në krahasim me vitin 2021, duke i kaluar 150.000 personat. Në nivel global, një bashkëpunimi më i ngushtë me BE-në dhe aleanca më e ngushtë me Shtetet e Bashkuara, sigurojnë jo vetëm përfitime konkrete, p.sh për industrinë italiane të mbrojtjes, por i japin Romës strukturën dhe platformën mbi të cilën qeveria Meloni mund të mbajë qëndrimin e saj si një aleate e rëndësishme. Sfida për Romën do të vijë pasi të dobësohet kjo super-strukturë.

Burimi: National Interest/ Përshtati: Gazeta Si

*Shënim: Ronald H. Linden është profesor i shkencave politike dhe ish-drejtor i Studimeve Evropiane në Universitetin e Pitsburgut, SHBA. Emilia Zankina është profesoreshë e asociuar e Shkencave Politike dhe Dekane e Universitetit Tempullit në Romë.

Të ngjashme