Lajme
Dy familjarë deputetësh propozohen për anëtarë të KQZ-së
Demokracia
19:35 | 03 Maj 2025

Share:

Nga dhjetë emrat që subjektet politike i kanë propozuar për anëtarë të rinj të KQZ-së, dy janë familjarë të deputetëve të Kuvendit. Në Vetëvendosje konfirmuan se i propozuar sërish për këtë detyrë është Alban Krasniqi, që është bashkëshort i deputetes Albulena Haxhiu. E në Partinë Rome të Bashkuar thanë se e kanë propozuar Alfred Kinollin, vëllain e deputetit Albert Kinolli, bazuar në përvojën e tij të mëhershme në këtë institucion.

Dy nga dhjetë të propozuarit e partive politike për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) janë familjarë të deputetëve të Kuvendit.

Sipas burimeve të KOHËS në KQZ, Alban Krasniqi, që është bashkëshort i ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është propozuar edhe për një mandat katërvjeçar në këtë institucion. Këtë e konfirmuan në LVV, tek thanë se edhe për një mandat është propozuar edhe Sami Kurteshi, shkruan Koha.

Për të vetmin anëtar në KQZ, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës e ka propozuar Alfred Kinolli, që është vëlla i deputetit, Albert Kinolli.

Tek e konfirmoi këtë, deputeti Kinolli tha se përzgjedhja e vëllait të tij është bërë në bazë të përvojës së tij paraprake në këtë KQZ.

“Nuk ka pasur fare nevojë, as të ndikojë e as të intervenojë, po e them kushtimisht për shkak se ai në këtë fushë ka përvojë meqenëse më herët para 6 viteve ka qenë anëtar i Komisionit Qendror Zgjedhor dhe ka përvojë në këtë drejtim. Ky propozim ka ardhur nga gjithë kryesia e partisë, për shkak se e kanë zgjedhur, e kanë votuar dhe është emëruar nga presidentja për shkak se e ka një bagazh jashtëzakonisht të mirë, për këtë fushë”, ka thënë Kinolli.

AAK-ja në KQZ do të përfaqësohet me anëtar të ri. Sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Muharrem Nitaj, i konfirmoi KOHËS se është propozuar për këtë angazhim.

Me anëtar të ri do të përfaqësohet edhe subjekti boshnjak, Partia e Re Demokrate. Anëtarja e këtij subjekti, Emilija Rexhepi, bëri të ditur se emri i propozuar është ai i Amir Saitit, i cili po ashtu e konfirmoi propozimin.

Ndërkaq, PDK-ja do t’i ketë anëtarët e njëjtë si në mandatin e mëhershëm – Arianit Elshanin e Ilir Gashin.

Anëtarin, Sami Hamiti, nuk e ka ndërruar as LDK-ja, teksa edhe Lista Serbe me Partinë Demokratike Turke të Kosovës i kanë mbajtur anëtarët e mëparshëm.

Në zyrën e presidentes Vjosa Osmani, së cilës lista i përcillet për dekretim, nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS për konfirmimin e emrave.

KQZ-ja përbëhet nga 11 anëtarë – kryetarit që emërohet nga presidentja si dhe 10 anëtarëve që propozohen nga partitë politike në bazë të fuqisë parlamentare.

Të ngjashme