Lajme
Dy emrat që flitet se janë në “top listën” e Zelenskyt në riorganizimin e udhëheqjes ushtarake dhe politike të Ukrainës
Demokracia
13:02 | 06 Shkurt 2024

Share:

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se ka në plan të riorganizojë udhëheqjen ushtarake dhe politike të Ukrainës.

Komentet e tij, në televizionin italian RAI në një intervistë të transmetuar vonë të dielën, pasojnë javë të tëra spekulimesh se Zelensky synon të shkarkojë Valery Zaluzhny, komandantin e përgjithshëm të ushtrisë së Ukrainës.

“Një rivendosje, një fillim i ri është i nevojshëm” dhe “nuk ka të bëjë me një person të vetëm, por me drejtimin e udhëheqjes së vendit”, citohet të ketë thënë Zelensky, shkruan Al Jazeera.

“Unë jam duke menduar për këtë zëvendësim”, tha ai, “por nuk mund të thuash këtu se kemi zëvendësuar një person të vetëm”.

Zaluzhny, i cili u emërua nga Zelensky disa muaj përpara se Rusia të fillonte agresionin në shkurt të vitit 2022, është i popullarizuar me trupat dhe popullsinë më të gjerë.

Ai ka mohuar spekulimet se ka ambicie politike.

Ai dhe presidenti kanë qenë në mosmarrëveshje për disa kohë lidhur me zhvillimin e luftës, pasi vendi përballet me mungesë municionesh, mungesë të personelit pas një kundërofensivë të dështuar dhe nevojën për më shumë trupa.

Por Zelensky u përpoq të minimizonte implikimet gjatë komenteve të tij mbi riorganizimin.

“Kur flasim për këtë, nënkuptoj një zëvendësim të një sërë liderësh shtetërorë, jo vetëm në një sektor të vetëm si ushtria”, theksoi ai.

“Nëse duam të fitojmë, të gjithë duhet të shtyjmë në të njëjtin drejtim, të bindur për fitoren; ne nuk mund të dekurajohemi; ne duhet të kemi energjinë e duhur pozitive”, vazhdoi presidenti ndërsa foli për luftën e Kievit për të larguar forcat ruse pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, pushtimit të pjesëve të Donbasit dhe pushtimit të shkurtit 2022.

Gazeta ukrainase e lajmeve Ukrainska Pravda raportoi të njëjtën ditë se Zelensky po konsideron gjithashtu shkarkimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Serhii Shaptala.

Zaluzhny ndërkohë, ka uruar Shaptala për ditëlindjen dhe ka postuar një foto të tyre së bashku në Facebook.

Dorëheqja e refuzuar

Spekulimet kanë pushtuar Ukrainën për javë të tëra mbi pozicionin dhe marrëdhëniet e Zaluzhny me presidentin, ndërsa lufta kundër pushtimit rus po i afrohet përvjetorit të dytë.

Në fund të vitit të kaluar, Zelensky tha se kishte refuzuar një kërkesë të ushtrisë për të mobilizuar deri në 500,000 njerëz dhe kërkoi të dinte se si do të organizohej dhe paguheshin ata.

Tensionet mes dy burrave u publikuan gjithashtu vitin e kaluar pasi gjenerali i tha The Economist në një intervistë se lufta kishte hyrë në një ngërç.

Pretendimi mori një mohim të furishëm nga Zelensky.

E raportet e pakonfirmuara të mediave javën e kaluar thanë se gjenerali kishte refuzuar një kërkesë presidenciale për dorëheqjen e tij.

Sipas spekulimeve, Oleksandr Syrsky, komandanti i forcave tokësore dhe Kyrylo Budanov, kreu i drejtorisë së inteligjencës të ministrisë së mbrojtjes të Ukrainës, janë dy kandidatët kryesorë për të zëvendësuar Zaluzhny si komandant i përgjithshëm.

Të ngjashme