Lajme
Dy dështimet e mëdha shtetërore të dyshes Osmani – Kurti: Shtyrja e zgjedhjeve dhe asnjë njohje për shtetin e Kosovës
Demokracia
10:16 | 03 Janar 2023

Share:

Viti 2022 nuk ishte vit i suksesshëm për Kosovën. Qytetarët e Kosovës u përballën me krizë ekonomike, varfëri, papunësi, kriza ekonomike e energjetike.

Pos problemeve të brendshme, shteti i Kosovës nuk arriti të sigurojë asnjë njohje gjatë këtij viti.

Vjosa Osmani, Albin Kurti e Donika Gërvalla nuk arritën të sigurojnë asnjë njohje. Njohja e fundit Kosovës i erdhi nga Izraeli në fillim të janarit të vitit 2021, si rezultat I marrëveshjes së 4 shtatorit 2020 të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Washington nga kryeministri I atëhershëm Avdullah Hoti, shkruan Demokracia.com.

Por, dyshja, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti dështuan që t’i sigurojnë shtetit njohje të reja, përkundër shumë vizitave jashtë shtetit.

Ata që erdhën në pushtet me premtime të mëdha për jetë të dinjitetshme për qytetarët e Kosovës, për njohje e afirmim të pozitës së saj jashtë e forcim të rendit, ligjit, e ruajtje të sovranitetit dështuan edhe këtu.

Pothuajse në çdo paraqitje të tyre mospunën dhe dështimin ia mveshën qeverisjeve të kaluara.

Osmani e Kurti e bënë pjesë të diskursit të tyre ’20 vjeçarin” e kaluar të cilit ia mveshën çdo dështim.

Ne qeverisjen e tyre krijuan shumë pakënaqësi me çdo sindikatë.

Teksa Albin Kurti nuk denjonte as t’i takonte sindikalistët, Vjosa Osmani edhe kur I takonte qëndronte në linjë me kryeministrin.

Qindra mjekë e infermierë braktisën Kosovën këtë vit. Fëmijët kosovarë nuk shkuan për ditë të tëra në shkolla, sepse qeveria nuk pranonte që të dialogonte me Sindikatën e Arsimit dhe të fliste për kërkesat e mëdimdhënësve, shkruan Demokracia.com.

Kryeministri Albin Kurti një pjesë të mirë të kohës e kaloi duke dialoguar me Serbinë. Edhe pse thoshte se Dialogun me Serbinë nuk e ka prioritet, Kurti këtë vit u takua tri herë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ai harxhoi goxha kohë edhe për të siguruar një takim të rëndësishëm me zyrtarë të lartë të SHBA-së.

Një vizitë gati 20 ditëshe Kurtit i shkoi huq, sepse nuk arriti të sigurojë takime të rëndësishme.

Tek në vizitën e dytë ai bashkë me Osmanin arritën ta takojnë sekretarin amerikan të shtetit, Anthony Blinken.

Albin Kurti nuk arriti të bëjë asgjë as për njërën prej kauzave kryesore si opozitar për moslejimin mallrave me origjinë nga Serbia.

Kur erdhi në pushtet Kurti, pritjet ishin që ai të merrte masa ndaj produkteve të Serbisë.

Lëre që nuk i vendosi ndonjë masë produkteve serbe, por importi i mallrave nga Serbia shënoi rekordin më të madh ndonjëherë.

Në periudhën janar-nëntor viti 2022 sipas të dhënave zyrtare Kosova ka importuar nga Serbia 341 milionë e 637 mijë euro, shkruan Demokracia.com.

Por një prej shqetësimeve kryesore të qytetarëve mbetet çështja e veriut të Kosovës.

Veriu sërish u kthye në një vatër krize e tensioni. Tashmë në veri asgjë nuk është nën kontrollë. Grupe kriminale serbe të armatosura, tashmë tri javë kanë barrikaduar rrugët. E tëra nisi për moslejimin e veturave me targa serbe në Kosovë e që po e çon Kurtin te tema e tij e preferuar: Lufta.

Kurti gjatë këtij viti në shumë paraqitje në mediat e huaja, ka folur për temën e një lufte ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Kurti në pothuajse të gjitha paraqitjet në medi ka thënë se Serbia është kërcënim për paqen në Ballkanin Perëndimor sepse ajo po armatoset nga Kina dhe Rusia, shkruan Demokracia.com.

Kurti nuk e ka përjashtuar mundësinë e një lufte në Kosovë, pasi sipas tij, rreth kufirit të Kosovës me Serbinë, në anën serbe janë 48 baza operative sulmuese progresive, prej të cilave 28 janë ushtarake dhe 20 i përkasin xhandarmërisë. Ai beson se do të ishte e papërgjegjshme të thuash se nuk do të ketë kurrë konflikt dhe se nuk do të ketë më luftë.

Kurti ka pyetur “nëse nuk ka përgatitje për luftë, pse vitin e kaluar Serbia dhe Rusia kanë pasur 104 stërvitje dhe aktivitete të përbashkëta ushtarake nga 91 që kishin planifikuar dhe në të njëjtën kohë. Dy stërvitjet më të rëndësishme ushtarake ishin ‘Mburoja Sllovene’ dhe ‘Vëllazëria Sllovene’”.

Sipas Kurtit, Serbia po armatos fuqishëm ushtrinë e saj me pajisje që i merr nga Rusia dhe Kina, dhe kjo përbën rrezik për Ballkanin Perëndimor.
“Përderisa serbët i kanë këto ëndrra për Kosovën si pjesë e Serbisë, këto ëndrra do të kthehen në makth për të gjithë Ballkanin, duke theksuar se në Ballkan nuk mund të ketë luftë pa Serbinë, as paqe pa shqiptarë”, ka theksuar Kurti në një intervistë për Večernji list.

Por kjo nuk ishte hera e vetme që Kurti përmendi mundësinë e një luftës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Rreziku për një konflikt të ri mes Kosovës dhe Serbisë është i lartë, i tha ai kojë më parë gazetës italiane “La Repubblica”.

Duke parë atë çfarë Rusia ka bërë me Ukrainën, Kurti tha se “do të isha i papërgjegjshëm po të shprehesha ndryshe”.

“Nuk do të thoja që [rreziku] është tejet i lartë, për shkak edhe se kemi kontingjentin e NATO-s këtu, por sigurisht se i lartë. Para pushtimit të Ukrainës, mundësitë ishin të pakta, tani situata ka ndërruar”.

“Nëse kemi një episod të dytë, për shembull në Transnistri, atëherë gjasat që një luftë e tretë të zhvillohet në Ballkanin Perëndimor, dhe në Kosovë në veçanti, do të jenë shumë të larta”, u shpreh ai.

Për luftën ai kishte folur edhe në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.

Kurti tha se në komunat veriore të Kosovës, më 31 korrik, pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur, “për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd”.

Sipas tij, barrikadat që u vendosën në rrugët e veriut, në kundërshtim të zbatimit të vendimit për targat dhe dokumentet hyrëse për shtetasit serbë, ishin të pozicionuara në atë mënyrë që të qëllohej me armë mbi automjete dhe njerëz që kalojnë në atë zonë.

Vjosa Osmani

Për vitin 2021 presidentja e Kosovës Vjosa Osmani do të mbahet mend për ndryshimin në pamjen e saj. Ajo tinëz qytetarëve, duke mos ia dorëzuar kompetencat kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca shkoi në Turqi dhe bëri një ndërhyrje për humbjen e peshës.

Kur mediat raportuan për të ajo u viktimizua duke tentuar të thotë se u bullizua për pamjen. Por, askush nuk e bullizoi për pamjen, thjeshtë qytetarët kanë të drejtë të dinë për shëndetin e presidentes së tyre dhe në çfarë mënyrë u bë ndërhyrja, kush e pagoi, pse ajo nuk njoftoi.

Ajo edhe këtë vit u mor shpesh me ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili ka dy vite që gjendet në paraburgim në Hagë.

Edhe pse në fjalimin e sa vjetor para Kuvendin tha se ka punuar fort në zgjerimin e marrëdhënieve me shtete e organizata, prapë kosovarët nuk panë asnjë njohje.

“Gjatë vitit 2022 ashtu sikurse edhe në vitin paraprak, kemi investuar fort në zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe me shtete e organizata në një frymë bashkëpunimi, e respekti reciprok.

Politika jonë e jashtme po i shërben në tërësi interesave shtetërore dhe të qytetarëve të saj, bazuar në promovimin e vlerave euroatlantike, ndërtimin e partneriteteve me shtete nga kontinente të ndryshme dhe thellimin e aleancave me partnerët tanë tradicional strategjik. Në kuadër të orientimeve strategjike të politikës se jashtme, si udhëheqëse e saj, kam punuar drejt forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë, avancimin e procesit të integrimit në strukturat euroatlantike, promovimit të marrëdhënieve të mira me shtetet anekënd botës, si dhe promovimin e interesave ekonomike të vendit.”, tha ajo.

Osmani u krenua edhe me aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkim Evropian. Edhe pse shpesh marrëdhëniet e Kosovës u vunë në pikëpyetje me miqtë ndërkombëtar Osmani tha se ka punuar shumë në ruajtjen e tyre.

Gjatë këtij viti pa ndonjë sukses të prekshëm Osmani ka takuar 44 krerë të shteteve.

Por dështimet kryesore të dyshes mbeten mossigurimi i asnjë njohjeje dhe shtyrja e zgjedhjeve në veri të vendit për datën 23 prill.

Institucionet e vendit nuk arritën të sigurojnë kushte që në katër komunat veriore të vendit të mbahen zgjedhjet për kryetar të komunave veriore, që dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës./Demokracia.com/ 

Të ngjashme