Lajme
Dy ambasadorë të QUINT-it “ballafaqohen” me Osmanin, pas ngjarjeve në veri: Çka u tha?
Demokracia
18:19 | 12 Qershor 2023

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osman, ka zhvilluar një takim pune me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ku u diskutua për zhvillimet e fundit në veri të vendit dhe hapat që po ndërmerren në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

Sipas Presidencës së Kosovë, Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për shërbimin dhe profesionalizmin e demonstruar nga ushtarët e KFOR-it në ballafaqim me grupet kriminale të dhunshme në veri të vendit.

“Në këtë rast, Presidentja Osmani theksoi se ballafaqimi me drejtësinë për grupet kriminale të mbështetura nga Serbia, që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët, është i domosdoshëm si garanci për të parandaluar përsëritjen e veprimeve të tilla të dhunshme”, thuhet në kumtesën e Presidencë.

“Ajo vlerësoi lartë bashkëpunimin me Gjermaninë dhe konfirmoi partneritetin e palëkundur dhe gatishmërinë për një koordinim të ngushtë në të ardhmen, me qëllim e ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në vend dhe rajon”.

Paraprakisht, Osmani u takua edhe me ambasadorin italian në Kosovë, Antonello De Riu, transmeton Paparaci.

Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend. Në emër të qytetarëve të Kosovës, u tha se Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për shërbimin, si dhe profesionalizmin e dëshmuar të trupave italiane të KFOR-it në ballafaqim me zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë në veri të vendit dhe u dëshiroi shërim të shpejtë ushtarëve të lënduar.

“Me këtë rast, Presidentja Osmani potencoi se ballafaqimi me drejtësinë i grupeve kriminale të mbështetura nga Serbia që sulmuan Policinë e Kosovës, pjesëtarët e KFOR-it dhe EULEX-it, gazetarët dhe qytetarët duhet të jetë përgjigja e vetme dhe se këto sulme duhet të dënohen nga të gjithë”, thuhet në komunikatë.

“Ajo theksoi se qytetarët në veri po dëmtohen më së shumti nga kjo situatë, andaj kërkoi për bashkëpunim më intensiv në drejtim të garantimit të një ambienti më të sigurt për qytetarët dhe për lirinë e shprehjes. Ajo ka vlerësuar lartë bashkëpunimin me Italinë, me ç’rast ka konfirmuar partneritetin e palëkundur dhe gatishmërinë për vazhdim të ngushtë të koordinimit me qëllim të garantimit dhe ruajtjes së paqes, sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në vend e rajon”.

Të ngjashme