Elon Musk është njeriu më i pasur në histori, por ai mendon se Putini mund të jetë më i pasur. CEO i Tesla-s rimori titullin e tij si personi më i pasur në botë në fund të vitit 2021, kur kaloi Jeff Bezos të Amazon.
Në një intervistë për Insider, Musk është shprehur se Vladimir Putin mund të jetë më i pasur se ai.
“Unë mendoj se Putini është dukshëm më i pasur se unë,” u përgjigj Musk.
Pasuria masive e presidentit rus Vladimir Putin mbetet një mister, që askush nuk e di saktësisht se sa e madhe është ajo, apo ku është e fshehur. Putin është përfolur se zotëron një pallat prej 1.4 miliardë dollarësh në Detin e Zi dhe një apartament prej 4 milionë dollarësh në Monako.
Disa kanë spekuluar se presidenti rus mund të jetë njeriu më i pasur në botë, pas deklaratës së financierit Bill Browder, i cili dëshmoi në vitin 2017 se ai beson se Putin “ka grumbulluar 200 miliardë dollarë fitime të paligjshme”, shkruan CNA.
Pas pushtimit të Ukrainës nga Putini , SHBA dhe vendet perëndimore kanë zbatuar sanksione ndaj Rusisë, aleatët kryesorë të Putinit dhe vetë presidentin rus .
Në diskutimin e Musk me Döpfner për pushtimin e Putinit, CEO i Tesla tha se është e domosdoshme që Putini të ndalet. “Unë mendoj se qeveria amerikane ka bërë më shumë sesa njerëzit mund të kuptojnë. Por thjesht nuk është bërë shumë publike. Por është e rëndësishme të bëjmë diçka serioze. Nuk mund ta lejojmë Putinin të marrë kontrollin e Ukrainës. Kjo është çmenduri,” tha Musk.