Lajme
“Duhet ta mbrojmë pavarësinë e BQK-së” | A po shkon Kurti drejt një “përplasje” të re me SHBA dhe BE?
Demokracia
17:00 | 30 Janar 2024

Share:

“Çdokush që e takon BQK-në dhe e pyet pse e keni marrë këtë vendim dhe si do ta zbatoni, ndërhynë në pavarësinë e këtij institucioni. Mendoj që të gjithë ne duhet ta mbrojmë pavarësinë e BQK-së”.

Ky është qëndrimi i Qeverisë së Kosovës lidhur me rregulloren e re të Bankës Qendrore për çështjen e përdorimit të valutave në vendin tonë, i shprehur përmes zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, gjatë raportimit më 26 janar 2024 në Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane, shkruan Demokracia.com.

Më 17 janar 2023, BQK njoftoi për vendimin e datës 27 dhjetor 2023, me anë të të cilit kishte miratuar Rregulloren për Operacionet më Para të Gatshme, e cila do të hyjë në fuqi më 1 shkurt 2024.

 

SHBA DHE BE “TROKASIN” NË DERËN E BQK-së

Këtë qëndrim e dinte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jefreey Hovenier, kur më 29 janar 2024 shkoi në Bankën Qendrore të Kosovës për ta takuar Guvernatorin e saj, Ahmet Ismaili, të cilit ia shprehu qëndrimin e qartë të ShBA-ve.

“Sot pata një takim produktiv me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili. Përsërita shqetësimet e SHBA-së për zbatimin e rregullores së ndryshuar për operacionet me para. Ne kërkojmë që zbatimi të shtyhet për të lënë kohë të mjaftueshme për tranzicion efektiv dhe komunikim publik për të zbutur ndikimin negativ te qytetarët”, shkruan ambasadori amerikan.

Para ambasadorit amerikan, më 23 janar 2024, në BQK kishte trokitur edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, për të diskutuar për rregulloren që ndalon qarkullimin e “Dinarit” në Kosovë, por në njoftimin e tij nuk kishte dhënë ndonjë deklarim të fortë.

BE-ja u deklarua më qartë më 29 janar 2024, kur kërkoi që kjo çështje të bëhet pjesë e dialogut Kosovë – Serbi.

“BE-ja ka marrë në dijeni rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e parave të gatshme, që ka për qëllim zvogëlimin e falsifikimit, të ruajë stabilitetin financiar dhe të rrisë transparencën e qarkullimit të parave të gatshme në Kosovë. Megjithatë, kjo ngrit shqetësimet lidhur me ndikimin që do të ketë në komunitetet me shumicë serbe, veçanërisht në shkolla dhe spitale, për të cilët asnjë proces alternativ nuk duket i duhur në këtë moment. Rregullorja po ashtu ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës së madhe të serbëve të Kosovës, të cilët marrin pagesa dhe asistencë financiare nga Serbia”, ka deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano dhe bëri thirrje që kjo çështje të kaloi në dialog.

“Duke pasur parasysh pasojat eventuale të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja pret që aspekti i cili lidhet me komunitetin serb në Kosovë të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Stano.

AMBASADAT E QUINT-it TREGOJNË SE ÇËSHTJA KA SHKUAR TE KRYEMINISTRI KURTI

Reagimet e veçanta të ambasadave nuk ishin të mjaftueshme. Së fundmi, më 28 janar 2024, Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, kanë mirëpritur qëllimin e BQK-së me rregullore për refuktimin e parave të falsifikuara, ruajtjen e stabilitetit financiar dhe rritjen e transparencës së flukseve të parasë në Kosovë.

Megjithatë, sipas QUINT-it kjo Rregullore “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe. Ne jemi të shqetësuar për ndikimin e rregullores në veçanti në shkollat dhe spitalet, për të cilat asnjë proces alternativ nuk duket i zbatueshëm për momentin. Rregullorja gjithashtu do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa/ndihma financiare nga Serbi”.

Gjithashtu, QUINT-i ka treguar se çështja ka shkuar deri te kryeministri, derisa kanë kërkuar që kjo të diskutohet në dialogun Kosovë – Serbi.

“Pas një shkëmbimi për këtë çështje me Kryeministrin të premten, Quint-i kërkon pezullimin e zbatimit të rregullores për të mundësuar një periudhë të mjaftueshme tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik. Çështja duhet të diskutohet më tej në kuadër të Dialogut të Lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratën e QUINT-it. / Demokracia.com /

Të ngjashme