OpEd
Dueli zgjedhor Scholz–Merz më 23 shkurt 2025
Demokracia
12:25 | 17 Dhjetor 2024

Share:

Nga: DR. JORGJI KOTE

Më 16 dhjetor, vetëm mbas tre vjet qeverisjeje, Kancelari Olaf Scholz humbi votëbesimin në Bundestag mbas një debati dhe sulmeve të ashpra, por tejet korrekte politike mes Kancelarit Scholz, liderit të CDU/CSU-së, Friedrich Merz, të Gjelbërve Robert Habeck, të Liberalëve, të AfD-së dhe deputetëve të tjerë. Ndonëse ishte një akt krejt formal, mbasi gjithçka ishte vendosur me konsensus përpara një muaji, kur koalicioni tripartiak u shpërbë me largimin e Partisë së Demokratëve të Lirë, mbas shkarkimit të ministrit të tyre të Financave, Christian Lindner, për shkak të divergjencave lidhur me ekonominë dhe financat e sëmura gjermane. Mbas paraqitjes së dorëheqjes së Kancelarit Scholz te Presidenti Steienmeir, ky i fundit do të caktojë 23 shkurtin, si datën konsensuale të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Këto zgjedhje do të zhvillohen në momente tejet të vështira për vendin dhe kontinentin; kur Rusia po përparon në luftën kundër Ukrainës dhe kur Lindja e Mesme është ndezur nga një konflikt me pasoja të paparashikueshme, edhe pse disi e lehtësuar nga përmbysja e Assadit. Ndërkohë që Franca, aleati i saj më i ngushtë europian është pa qeveri funksionale, e cila dhe kur të krijohet do të mbahet “me paterica” dhe në mëshirën e ekstremit të djathtë e të majtë dhe kur në Bruksel sapo janë instaluar ekipet e reja të BE-së, ndërsa në Uashington pritet hyrja e Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë me shumë sfida madhore.

Ethet politike dhe zgjedhore gjermane janë tejet të mëdha, mbasi është hera e tretë që në 80 vitet e fundit zhvillohen zgjedhje të parakohshme. Veçse këtë radhë Scholz thyen rekordin për jetëshkurtësinë si Kancelar, vetëm me 3, nga 7 vite që qëndruan të paraardhësit e tij të shquar social–demokratë, Brandt, Schmidt dhe Schroder dhe nga 16 vjet të Kancelarëve të djathtë emblematikë, Adenauer, Kohl dhe Merkel.

Për më tepër, sondazhet e vazhdueshme serioze përcaktojnë si fitues të mundshëm të këtyre zgjedhjeve, madje me diferencë të ndjeshme koalicionin opozitar CDU/CSU dhe liderin e saj, Friedrich Merz me 30–40 për qind.

Por, veç sondazheve, dështimin qeveritar e dëshmojnë fryma, atmosfera dhe realitetet në terren dhe më konkretisht rezultatet zgjedhore të SPD-së në 12 muajt e fundit. Kështu, në zgjedhjet për Landin e madh të Bavarisë shtatorin e kaluar, SPD-ja ra në nivelin më poshtërues në historinë e saj, me vetëm 8 për qind; në zgjedhjet europiane në qershor mori vetëm 14 për qind, duke rënë në të gjitha rastet poshtë AfD-së bashkë me të Gjelbërit dhe Liberalët e koalicionit qeveritar. Ndërsa në zgjedhjet në landin lindor Tyringen në shtator SPDja mori vetëm 6 për qind! Padyshim që Kancelari Olaf Scholz ndodhet në pozitën më të vështirë me një pëlqyeshmëri 20 për qind, e cila për SPD-në shkon vetëm 15–16 për qind, duke rrezikuar të dalë e treta dhe mbas AfDsë ekstremiste! Kjo për disa shkaqe madhore, të cilat fillojnë me mosmbajtjen e premtimeve të bujshme zgjedhore të 4 viteve më parë. Veç shifrave alarmante mbi rritjen e krimit dhe pasigurisë në vend, në median gjermane të ditëve të fundit nënvizohet “trinomi” negativ i Scholzit në tri vitet e kancelarisë së tij, rritja e papunësisë në 5,9 për qind, rënia ekonomike në minus 0,2 për qind dhe shtimi i falimenteve nga 14.500 në 20.000 subjekte biznesi. Për pasojë, është rritur me 19,5 për qind kostoja e jetesës. Kjo ka ardhur kryesisht për shkak të rritjes me 30 për qind të çmimeve të produkteve ushqimore bazë dhe mbi 35 për qind të tarifave të gazit dhe energjisë elektrike. Këto të fundit si pasojë e ndërprerjes së furnizimit nga Rusia mbas vitit 2022. Më e keqja është ndikimi që ato do të kenë në përkeqësimin e ekonomisë gjermane në vitet e ardhshme, sidomos sa i takon industrisë në përgjithësi dhe prodhimit/eksportit të autoveturave, si “motori dhe zemreku” i ekonomisë.

Por, pavarësisht treguesve të mësipërm, në vend që t’u binte kambanave të alarmit, Scholz vazhdonte të mburrej se ka bërë më të mirën dhe premtonte se “do bënte namin” në muajt e mbetur me qeverisjen e tij ama me rutinën e zakonshme, me motivin “shtyje ta shtyjmë”. Në fakt, hezitimet, vonesat, mungesat dhe shtyrjet kanë qenë tipari karakteristik i lidershipit të tij; u shty mbyllja e gazsjellësit gjigand “Nord Stream II” me Rusinë deri një javë përpara agresionit të saj kundër Ukrainës, u shty pakti për emigracionin, për dëbimin e emigrantëve të paligjshëm dhe kriminelë, shtyrje pas shtyrje për livrimin e armëve/armatimeve moderne, të tankeve “Leopard” etj., për Ukrainën. Deri aty sa siç pohojnë shumë ekspertë, droja dhe frika ruse janë bërë “mënyrë jetese” dhe këshilltari më i keq për Scholzin. Në këto linja, Scholz telefoni disa ditë më parë Putinin, një lëvizje e kritikuar dhe që nuk dha asgjë. Po kështu shkoi në Kiev ku takoi Presidentin Zelenski, por pa asnjë premtim apo livrim të raketave aq të nevojshme “Taurus”. Në fakt, këto dy lëvizje ishin taktikë zgjedhore, për të fituar votat e mbështetësve të Putinit, meqenëse numri i tyre dhe sidomos te social-demokratët mbetet ende i lartë.

Madje, javët e fundit ai ka filluar të shpalosë logon e fushatës si Kancelari i Paqes, duke luajtur me frikën e përshkallëzimit të luftës deri në një sulm të mundshëm ndaj Gjermanisë. Ai jep të nënkuptojë se kush do paqe, të votojë për të, ndryshe me Merz do të keni luftë! Por kjo mund t’i kthehet në bumerang, sepse qysh tani ka nga ata që e quajnë “kancelar i frikës”, një emërtim jo i mirë për të. Veç sa sipër, Scholz ka dhe një problem tjetër të madh; atij i mungon fryma dhe stili i duhur frymëzues i udhëheqësisë politike, ai nuk krijon dot bindje dhe besueshmëri, nuk nxit, nuk garanton dhe për pasojë nuk mobilizon dot më as të vetët! Ai është larg imazhit dhe personalitetit rrezatues të paraardhësve të tij socialë-demokratë – Brandt, Schmidt dhe Schrõder që tundnin podiumet kudo ku shkonin! Në këtë drejtim, edhe pse Kryesia e SPD-së e mbylli shpejt e shpejt diskutimin lidhur me kandidaturën alternative, Scholzin e le në hije ministri i suksesshëm i Mbrojtjes, Boris Pistorius, politikani më i pëlqyer për gjermanët dhe në sondazhet më të fundit. Ai çmohet për karizmën, aftësitë drejtuese dhe komunikuese, cilësi këto që kërkohen shumë sot nga zgjedhësit, sidomos ata social-demokratë. Lidhur me mosbesimin dhe skepticizmin masiv, Scholz i referohet edhe fitores së tij të papritur 4 vite më parë, me gjithë disavantazhet që tregonin sondazhet. Kjo është e vërtetë, mirëpo historia e atij suksesi zgjedhor vështirë, për të mos thënë e pamundur të përsëritet për disa shkaqe, dallime dhe rrethana të reja cilësore. Kështu, mbas 16 vitesh të “sundimit” politik të CDU/CSU-së, atëherë sapo ishte larguar Merkeli dhe kandidati i saj Armin Laschet me distancimin e tij nga e kaluara merkeliste krijoi dyshime te një pjesë e madhe e zgjedhësve. Nga ana tjetër, meqenëse Scholz gjatë viteve 2013–2017 ishte zëvendës i Merkelit në koalicionin e madh qeveritar, ata menduan t’i besonin SPD-së dhe Scholzit me përvojë. Ca më tepër dhe falë premtimeve të tij jetike që preknin drejtpërsëdrejti xhepin, ekonominë dhe nivelin e jetesës së gjermanëve të thjeshtë. Mirëpo tani, gjendja është katërcipërisht ndryshe dhe këtyre premtimeve u “ka dalë boja”. Ndërkohë, Scholz nuk ka kujt t’ia faturojë fajet dhe përgjegjësinë për këto dështime, as brenda SPD-së dhe as CDU/CSU-së, siç bëri pa sukses edhe në Bundestag. Akoma më keq ndihet Scholz në fushën e politikës së jashtme. Atij i ka mbetur në dorë “dopio gjashta” e lëvizjeve dhe gabimeve të gabuara të diplomacisë qetësuese gjermane ndaj Moskës, Pekinit dhe Teheranit me “karremin” e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, me qëllim që të fitohej “dividenti i paqes” dmth., tarifa të lira të gazit dhe energjisë elektrike dhe për rrjedhojë paqtimi i situatave. Barrën e rëndë financiare të këtyre pasojave e përmendëm më lart, por tani është në rrezik dhe siguria për Gjermaninë, që po e “paguan si frangu pulën” politikën e saj dështake.

Dhe këtu prapë halli i madh i Scholzit është se përgjegjësinë për këtë vartësi të madhe ekonomike gjermane, ai nuk ia hedh dot as opozitës, madje as vetë Merkelit. Kjo për faktin e thjeshtë se në 11 vitet e fundit, liderët e SPD-së kanë qenë në koalicionin qeveritar me Kancelaren Merkel. Vetë Scholzi ka qenë 5 vjet Zv.kancelar dhe Ministër i Financave dhe në tri vitet e fundit Kancelar; po ashtu, Presidenti i tanishëm i Republikës, Steinemeir, si dhe Gabriel dhe Maas kanë qenë ministra të Jashtëm me fushë të lirë veprimi gjatë viteve 2009-2019 me Merkelin; ata kanë nënshkruar dhe marrëveshjet jo efektive me Rusinë, Ukrainën dhe Iranin. Ca më pak mund të akuzojë kundërshtarin e tij Merz, mbasi ky i fundit u rifut në politikën aktive dhe në CDU vetëm në pesë vitet e fundit; kësisoj, Merz nuk “ka fare gisht” as në politikat ekonomike dhe as në politikën e jashtme gjermane. Këto realitete të hidhura për partinë në pushtet dhe sidomos për Kancelarin Scholz tregojnë qartë se kundërshtari më i fortë dhe më i vështirë politik në këto zgjedhje për të, siç pohojnë vëzhgues të ndryshëm është vetë Scholz, sepse ai që të fitojë, duhet të distancohet qartë nga gabimet, mungesat, vonesat e politikave të tij të brendshme dhe të jashtme. Por, ky distancim ka goxha kosto dhe të çon në humbje. Veç sa u përmend më lart, kreu i CDU/CSU-së, Friedrich Merz, konkurron në këto zgjedhje me shumë avantazhe konkurruese. Me përvojë të gjatë në politikën gjermane deri në vitin 2008, kur e ndërpreu totalisht mbas papajtueshmërisë politike me Kancelaren Merkel. Rihyri bindshëm në drejtimin e CDU-së në vitin 2018, lider energjik, karizmatik, familjar model, tejet i suksesshëm në veprimtarinë sipërmarrëse, orator dhe polemist brilant. Kohët e fundit u bë edhe pajtimi i shumëpritur mes tij dhe Merkelit, duke siguruar mbështetësit e saj të shumtë. Gjithsesi, ai dhe CDU/CSU po tregohen të kujdesshëm, pa shfaqur shenja euforie dhe sigurie për fitore të parakohshme dhe duke dalë tek elektorati me versione dhe alternativa më të mira se kundërshtarët. Për këtë qëllim, më 18 dhjetor Merz do të shpallë programin zgjedhor “Për një ndryshim politik në Gjermani”. Sipas burimeve të besueshme, ky program me 79 faqe parashikon masa dhe reforma të shumta për modernizimin ekonomik, uljen e ndjeshme të taksave dhe tatimeve, në përgjithësi uljen e kostos së jetesës, sidomos për shtresat e mesme, masa dragoniane për ndalimin e azilit të paligjshëm, rritjen e sigurisë publike etj.. Së fundi, lajmi i mirë premtues është se pavarësisht se kush do të fitojë më 23 shkurt 2025, kjo do të ketë vetëm rrjedhoja pozitive në qëndrimet gjermane ndaj Aleancës Euro-Atlantike, mbështetjes së Ukrainës, një rol më aktiv në Lindjen e Mesme etj.. Të dyja partitë më të mëdha, CDU/CSU dhe SPD, bashkë me Të Gjelbërit dhe Liberalët, si në pushtet dhe në opozitë kanë treguar se mbeten në favor të shpejtimit të zgjerimit të BE-së. Gjithashtu, të katërta këto parti kanë qenë pioniere dhe mbështetëse aktive të marrëdhënieve miqësore dhe reformave integruese me rajonin dhe sidomos në vendin tonë. Mjaft të rikujtojmë tri vizitat historike të Strausit legjendar në vitet ‘80, atë të Gensherit emblematik më 2 tetor 1987, strehimin e 3000 azilkërkuesve tanë në Ambasadën gjermane në Tiranë, mbështetjen e Kohlit për demokracinë, nismën dhe kryesimin gjerman të Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore gjatë Kancelarisë Schroeder dhe Procesin historik të Berlinit me nismëtare Ish-Kancelaren Merkel më 2014. Po ashtu, Gjermania ishte ndër të parat shtete perëndimore që njohu dhe mbështeti pavarësinë e Kosovës, që ka dhënë mbështetje aktive për dialogun me Serbinë dhe modelin franko-gjerman, si bazë e Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit vitin e kaluar, etj../Gazeta Panorama

Të ngjashme