Ylli botëror i muzikës, Dua Lipa, e cila u bë lajm botëror pasi u pajis me pasaportë të Shqipërisë, ka folur në konferencë për media në Tiranë para se t’ia nisë koncertit të saj, për nderë të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.
Por përkundër faktit se në intervistat e saj ajo përmend shpesh Kosovën dhe origjinën e saj dhe lidhjen me Kosovën, Dua, zyrtarisht është vetëm shtetase e Britanisë së Madhe dhe tash Shqipërisë.
Këtë e pohoi vet në konferencën për media.
“Veç dy pasosha i kam, njo të Shqipnisë dhe njo të Anglisë”, tha Lipa teksa u përgjigj në pyetjet e gazetarit se sa pasaporta posedon. Duket se ajo e ka ngatërruar në këtë pikë Britaninë e Madhe me Anglinë, pasi Anglia nuk ka pasaportë.
Pasaporta është dokumenti përmes së cilit një shtet e lëshon për banorët e vet për të legjitimuar shtetësinë e saj. Dua Lipa ka lindur në Londër dhe ka jetuar atje deri në moshën 11 vjeçare, kur u kthye në Kosovë pasi familja e saj, prindërit Dukagjin dhe Anisa Lipa vendosën të ktheheshin në Prishtinë. Dua jetoi 4 vite në Prishtinë dhe më pas në moshën 15 vjeçare e la Prishtinën dhe e vetme u kthye në Londër për të jetuar.
Në moshën 19 vjeçare ajo nënshkroi kontratë me një shtëpi të famshme diskografike teksa menjëherë u bë fenomen botërorë i muzikës pasi publikoi këngët e para si “Be the one” e deri tek super hitet botërore si “Break my Heart”.
Ajo ia dhuroi Kosovës një festival në të cilin performojnë yje të mëdha të muzikës në Prishtinë, ku këtë vit tema kryesore ishte “Set me Free” si një thirrje për liberalizim të vizave për kosovarët.